10 milionë euro humbjet ditore

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Restorantit të hapur para 15 vjetëve, pronari Faton Abdullahu është detyruar t’ia vërë drynin.

Shkak për këtë janë masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë koronavirus, shkruan KOHA.

Mbyllja e lokalit që mban emrin e gjeniut të muzikës klasike, “Mozart”, nuk ka ndikim vetëm në afarizmin personal të Abdullahut. Për efekt, ajo ka lënë pa punë 15 punëtorë.

“Pagat e punëtorëve i siguroj nga qarkullimi i lokalit. Në mungesë të qarkullimit i kam paguar vetëm për 15 ditë të këtij muaji. Më shumë nuk kam se si t’i paguaj”, ka deklaruar ai. Përveç pagave të punëtorëve, ai thotë se duhet të paguajë edhe qiranë e lokalit.

“Po 800 euro e kam qiranë mujore, plus duhet të paguaj edhe rrymën për shkak se në lokal kam pajisje që shpenzojnë rrymë edhe në kohën kur lokali qëndron mbyllur”, ka thënë ai.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se sipas përllogaritjeve bazike, dëmi në ekonomi është 10 milionë euro në ditë.

“2.5 për qind pritet të jetë rritja ekonomike në Kosovë (parashikimet para Covid-19 kane qene 4.5%), Sektorët si Gastronomia, Turizmi, Rekreacioni, Qendrat Tregtare, Çerdhet, Zejtaret, Transporti vendor dhe ndërkombëtar i udhëtareve, Shërbimet estetike etj, kane 0 qarkullim. Rreth 50 për qind e bizneseve aktive në vend janë të mbyllura (kjo shifër arrin ne rreth 70 për qind të bizneset e vogla). Kemi rënie drastike të konsumit të energjisë elektrike dhe të derivateve të naftës. Sipas përllogaritjeve bazë, janë mbi 100 mijë persona qe nuk janë në vendin e punës, që nga vendosja e masave kufizuese, për parandalimin e përhapjes se kësaj pandemie. Pandemia ka goditur direkt apo indirekt të gjithë sektorët e ekonomisë”, ka thënë ai.

Të ngjashme