ASK: Inflacioni në Kosovë gjatë vitit 2021 ishte 3.4 për qind

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar raportin vjetor të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për vitin 2021 ku shihet se norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2021 ishte 3.4 për qind.

Sipas raportit, ngritje e çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur tek buka dhe drithërat që patën rritje prej 4.3 për qind, mishi gjatë kësaj kohë u rrit për 1.4 për qind, qumështi, djathi dhe vezët për 3.8 për qind, vajrat dhe yndyrërat për 22.9 për qind, perimet prej 4.1 për qind, si dhe sheqeri dhe ëmbëlsirat të cilat shënuan një rritje prej 2.2 për qind.

Gjithashtu shihet se edhe çmimi i kafesë, çajit dhe kakaos gjatë vitit 2021 u rrit për 2.4 për qind ujë, ai i pijeve joalkoolike, lëngjeve nga pemët dhe perimet u rrit për 0.9 për qind, i pijeve alkoolike për 2.7 për qind. Për 3.7 për qind u rrit çmimi i duhanit, me 8.7 për qind çmimi i gazit, me 5.9 për qind çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, drurit zjarrit dhe peletit.

Edhe çmimi i mobilieve dhe orendive, qilimave dhe mbulesave të tjera dyshemeje gjatë kësaj përiudhe u rrit për 1.4 për qind, ai i pajisjeve shtëpiake për 3.1 për qind, ai i produkteve farmaceutike prej 2.3 për qind, ai për blerje të automjeteve për 1.3 për qind, i pjesëve të këmbimit dhe pajisjeve shtesë për pajisjet e transportit personal për 1.7 për qind.

Edhe çmimi i karburanteve dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal gjatë vitit 2021 pati një rritje prej 17.6 për qind, ndërkohë që mirëmbajtjet dhe riparim i pajisjeve personale të transportit  rritën çmimin për 5.3 për qind, shërbime të tjera lidhur me pajisjet personale të transportit për 4.1 për qind, shërbimet për transport për 2 për qind, shërbimet telefonike dhe të telefaksit u rritën për 18.4 për qind, ai i pajisjeve audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative u ngrit për 2.7 për qind, ai i pushimeve të organizuara për 4.3 për qind, ndërsa ai për shërbime hoteliere gjatë vitit 2021 u rrit për 18 për qind, ai për kujdes personal për 1.5 për qind si dhe ai për shërbime financiare për 4.7 për qind të cilat bashkarisht kanë një ndikim prej 3.7 për qind në IHÇK.

Në anën tjetër, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur tek pemët për -9.3 për qind, poashtu edhe tek energjia elektrike për -4.3 për qind – për arsye se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 cent për 1kwh më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, neni 15, me një ndikim të përbashkët prej -0.3 për qind në IHÇK.

Të ngjashme