Gjendja në ekonomi frikësuese, 70 mijë veta pritet të mbesin pa punë

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 22:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se gjendja ekonomike në Kosovë e shkatërruar nga pandemia është frikësuese.

Sipas tij është dashur që së paku 1 miliard euro të ndahen për ndihmë ekonomike bizneseve derisa thotë se problem të madh e sheh mosqarkullimin e parasë.

“Diaspora nuk i sjell 1 miliard më dhe ne që kemi pasë në plan rritjen ekonomike prej katër për qind tash Banka Qendrore e Kosovës thotë se kemi 11 për qind rënie. Janë gati 70 mijë njerëz që kanë me mbetë pa punë. 70 mijë rroga, 70 mijë familje, 70 mijë njerëz që s’kanë me ble më siç kanë bërë para tre muajve. Ndoshta nuk e shohim sot, por në shtator dhe tetor do të kemi jashtëzakonisht krizë ekonomike dhe sociale”.

Ahmeti në Rubikon të Klan Kosovës ka kritikuar partitë politike në Kuvend që s’po i kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare për të marrë fondet.

“Nëse nuk uleni bashkë keni me mbajtë përgjegjësi. Në shtator dhe tetor neve nuk na vyejnë partitë dhe prapë kryetarët e komunave duhet të ballafaqohen sepse na janë katërfishuar kërkesat nga qytetarët për produkte bazike. Lëni diskutimet se kush jeni më patriotë. S’është koha e tregimit të patriotizmit”.

Ahmeti tha se edhe nëse shkohet në zgjedhje partitë në Kuvend duhet të pajtohen për pakon ekonomike dhe të gjejnë kompromis.

Të ngjashme