Guvernatori Mehmeti pas fitores në Arbitrazh ndaj “IuteCredit”: U dëshmua se vendimi i BQK-së ishte i drejtë dhe ligjor

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 12:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se Kosova ka arritur të marrë një epilog 100 për qind në favor të vendit, nga Gjykata e Arbitrazhit në rastin ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”, raporton Ekonomia Online.

Sipas Mehmetit, fitorja në Arbitrazh dëshmon që vendimi i marrë nga institucioni që ai udhëheq, ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

Në një konferencë për medie, Mehmeti shpalosi historikun nga regjistrimi i këtij institucioni mikrofinanciar më datë 27 tetor 2017 e deri në vendimin e marrë nga Bordi i BQK-së për revokimin e licencës dhe inicim të procedurave të likuidimit.

“Siç jeni në dijeni, Kosova e ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar në rastin me “Iute Credit”. Në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit me të cilin ishte licencuar. Normat e interesit që kishin aplikuar ishin jashtë çdo standardi”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, “Iute Credit” ishte duke e rrezikuar stabilitetin financiar të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë asnjëherë operimin e atyre institucione që nuk zbatojnë kërkesat rregullative në vend të cilat. Në bazë të mostrave të kredive që i kishte vlerësuar Banka Qendrore, pavarësisht se i kishin reduktuar normat, ‘Iute Credit’ e ‘Monego’ kanë mbajtur interes prej 80 deri në 236 për qind. ‘Iute Credit’ e kishte konsideruar veprimin e padrejtë e në kundërshtim me Ligjin për Investimet e Huaja, ndërsa ‘Monego’ kishte thënë se të vetmit që do të vuajnë pas vendimit janë qytetarët e Kosovës, pasi me kreditë e tyre i kanë kontribuuar ekonomisë së vendit”, ka sqaruar Mehmeti, raporton EO.

Mehmeti ka thënë se “normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend”.

“Gjatë periudhës së operimit të Iute Credit në Kosovë, ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit, në bazë  të të cilit kishte marrë licencën për të operuar, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar. Konform detyrave dhe përgjegjësive lidhur me mbikëqyrjen e institucioneve financiare, BQK-ja ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në këtë institucion mbi pajtueshmërinë e tij lidhur me operimin krahas planit të biznesit të aprovuar me rastin e regjistrimit nga BQK. Ekzaminimet e BQK-së kishin evidentuar një varg shkeljesh të mëdha dhe se normat e interesit që kishte aplikuar ky institucion janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtij institucioni, qoftë në raport me normat e interesit në kredi, që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend. Ky devijim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se, me veprimtarinë e tij kishte rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Bazuar në shkeljet e evidentuara nga ekzaminimet e njëpasnjëshme, Bordi Ekzekutiv i BQK-së, me 6 dhjetor 2019 bazuar në kompetencat që i garanton neni 36 paragrafi 1, nën paragrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nën paragrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, kishte vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A.

Ai ka thënë se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve, në raport me këtë institucion dhe të gjitha vendimeve të nxjerra nga organet ekzekutive të saj.

Institucioni në fjalë, konform të drejtës së tyre ligjore, kishte iniciuar padi në Arbitrazhin Ndërkombëtar, për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së.

“BQK falënderon Qeverinë e Republikës së Kosovës për inicimin e ndarjes së mjeteve monetare për mbrojtjen e Republikës së Kosovës në arbitrazh. BQK po ashtu falënderon Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokaturën e Shtetit për vendosjen e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet BQK-së dhe firmës mbrojtëse për Republikën e Kosovës. Që në fillim, kam vendosur ish zëvendësguvernatorin Sokol Havolli si bartës të këtij procesi, i cili në bashkëpunim me vartësit e tij, kanë realizuar me sukses çdo fazë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, duke qenë edhe dëshmitari kyç në arbitrazh. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të përgëzoj edhe të gjithë punonjësit tjerë në BQK të cilët përgjatë gjithë procesit të punës dhe mbrojtjes kanë qenë në krye të detyrës”.

“Besimi ynë në profesionalizmin e punonjësve në BQK nuk është luhatur asnjëherë. Si rrjedhojë e gjithë këtij angazhimi dhe procesi profesional nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kemi arritur që të kemi një epilog 100% në favor të vendit. Si bartës i të gjitha përgjegjësive brenda institucionit që drejtoj, ndjehem i lumtur me këtë rezultat dhe me të gjitha rezultatet e arritura përgjatë viteve. Po aq e rëndësishme sa edhe rezultati, është edhe fakti se kostot e asociuara me këtë proces do të barten nga pala paditëse. Ndjej krenari të veçantë që kam arritur përgjatë gjithë kësaj kohe, në bashkëpunim me të gjithë kolegët në BQK, të mbrojë shtetin, qytetarin, institucionin dhe stabilitetin financiar. Në kohë të ndryshme, jemi ballafaquar me sfida dhe sulme të orkestruara si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, të cilat kanë pasur qëllim të dëmtojnë proceset e BQK por edhe reputacionin tim, reputacionin e BQK-së dhe të Republikës së Kosovës. Në disa raste më kanë bërë të ndjehem keq. Por asnjëherë nuk jam ndjerë se nuk po zbatoj ligjin”. 

Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun tonë financiar, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë ndërmjet institucioneve financiare të cilat sigurojnë rritje të qasjes në financa dhe përmirësim të kushteve, por nuk do të lejojë asnjëherë operimin e atyre institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare në të cilat mund të gjendet një pjesë e qytetarëve tonë, duke sjellë shërbime të cilat i varfërojnë dhe e vështirojnë edhe më tepër jetën e tyre.

Lexo më shumë:

Të ngjashme