Hajdari sqaron masat, thotë se Qeveria s’e ka qëllimin të mbyllë biznese

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 19:21 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur lidhur me keqkuptimet e fundit sa i përket mënyrës së funksionimit të bizneseve, raporton Ekonomia Online.  Ajo ka dhënë sqarime rreth masave ekonomike të Qeverisë për parandalimin e pandemisë së Coronavirusit.

“Urdhëresa e parë ka qenë urdhëresa për menaxhimin e çmimeve, bazuar tek ankesat e qytetarëve për rritje çmimesh”, ka thënë Hajdari, duke shtuar se thënë se në këtë aspekt, punët qëndrojnë mirë. Sa i përket urdhëresës së dytë, ajo ka thënë se ka shumë keqkuptime.

“Kjo është menaxhuar mirë me Inspektoratin e Tregut, me bashkëpunimin me komunat dhe këtu jemi shumë mirë.  Urdhëresa e dytë  është ndaj zbatimit të masave ndaj veprimtarive ekonomike lidhur me emergjencat e shëndetit publik dhe këtu ka shumë keqkuptime,  jo me qëllim dashakeq por me qëllimin që të zbatohen urdhëresat, vendimet. Interpretim pas interpretimi ndodhin edhe gabime, në nivel komunal por edhe nga Policia”, tha ajo.

Hajdari përkitazi me këtë rast, ka dhënë sqarime më të detajuara: “Mbyllen restorantet, kafeteritë, baret, pubet, qendrat tregtare, përveç barnatoreve farmaceutike dhe bujqësore dhe shitoreve ushqimore brenda qendrave tregtare; tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve. Konsiderohen qendra tregtare shtëpitë e mallrave, tregjet e mbyllura dhe lokalet e ngjashme. Operatorët me ofertë të përzier – shitje e shërbim – mund të shesin, por jo të ofrojnë shërbim brenda lokalit. Operatorë të tillë janë furrat e bukës, byrektoret, qebaptoret, ëmbëltoret, gjellëtoret dhe tjera që shesin ushqim direkt, por edhe ofrojnë shërbime brenda lokale”, ka thënë ajo.

“Ndalohet konsumi i pijeve dhe ushqimi brenda menzës së punëtorëve, punëtorëve mund t’iu ofrohet ushqim dhe pije, por jashtë menzës”, ka thënë ajo.

Ajo ka dhënë sqarim edhe për shërbime gastrononike brenda hoteleve.

Hajdari po ashtu ka thënë se operatorët e posaçëm që merren me shërbime komunale, financiare, ekonomike dhe postare mund të ofrojnë deri në një masë të domosdoshme, por me orar dhe staf të reduktuar.

“Qeveria nuk e ka qëllimin të mbyllë biznese”

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka përsëritur se Qeveria e Kosovës nuk ka për qëllim me këto masa të mbyllë veprimtarinë e bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, por që të shmangë pasojat e mundshme nga pandemia Coronavirus, ndaj ka dhënë edhe njëherë sqarime lidhur me një gjë të tillë.

“Nuk është qëllimi i ministrisë sonë që të mbyllim bizneset, nuk është qëllimi i Qeverisë Kurti të mbyllë operatorët, por thjesht shmangim pasojat e pandemisë Coronavirus… Pra, jo të ndalen bizneset, por të organizohemi aq sa mundemi që t’i largohemi rrezikut nga pandemia koronavirus”, tha ministrja Hajdari.

Sa i përket shërbimeve elektronike dhe atyre postare, Hajdari ka thënë se duhet të ofrohen në masë të domosdoshme, në mënyrë të reduktuar.

Të ngjashme