Kurti- mërgatës: Ejani kontribuoni e fitoni

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 10:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të kthehen në Kosovë për të investuar dhe për të kontribuar në të mirë të vendit, raporton Ekonomia Online.

Këtë thirrje kryeministri Kurti e bëri sot në Forumin e Bizneseve të Diasporës që po mbahet në Prishtinë. “Në kuadër të Qeverisë, ne besojmë shumë në fuqinë e qytetarit si diplomat, prandaj edhe jemi duke punuar për të krijuar sa më shumë ndërlidhje në mes të vendit dhe qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit. Zhvillimi i Kosovës është drejtpërdrejt i lidhur jo vetëm me kontributin pra financiar të mërgatës por edhe me atë shoqëror, sikurse sjellja në atdhe e risive, kulturës së punës, rrjetëzimit, që kanë krijuar me kompani e tregje të huaja dhe në përgjithësi pikëpamjeve përparimtare. Por, tanimë, me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”, tha Kurti.

“Pra, ejani, kontribuoni dhe fitoni! Nuk jemi në të kaluarën, kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, por për kontribut përmes fitimit, përmes përfitimit, përmes fitimit të dyanshëm, edhe për mërgatën tonë, si qytetarë të vendit tonë e pjesëtarë të kombit tonë, edhe për shtetin tonë demokratik dhe zhvillimit e tij socio-ekonomik”.

“Dua të ritheksoj se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e hapur për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik dhe të përkrahë nisma të reja që sjellin deri te rritja e investimeve, sidomos ato të orientuara në eksport. Mbase edhe mund të bëjmë ndonjë zëvendësim të importeve, por zhvillimi ynë ekonomik kalon nëpërmjet rritjes së eksporteve, sepse si treg prej rreth 2 milionë banorëve, eksporti duhet të jetë kryefjala e hovit të mëtutjeshëm në ekonominë tonë, e në këtë drejtim e mirëpres një konsolidim dhe bashkërendim të platformave ekonomike në Kosovë dhe Diasporë, në mënyrë që potencialin ta shndërrojmë në mundësi reale, e dihet që mundësitë janë më të mëdha, se sa realiteti që e kemi”.

Të ngjashme