Kurti: Në fund të muajit prill do t’i marrin nga 100 euro shtesë pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe privat

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 09:24 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në fund të muajit do t’i ndajnë nga 100 euro shtesë për ndihnta sociale, pensionistët dhe për herë të parë edhe për secilin punëtor të sektorit publik dhe privat, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në prezantimin e masave të reja në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, shefi i ekzekutivit ka njoftuar edhe për rritjen e pagës minimale.

“Pensionin bazik e rritëm për 11 për qind, ndërsa 33 për qind për personat me aftësi fizike. Asistencën sociale e kemi rritur për 30 për qind. Gjithashtu për shtresat e cenueshme ndamë mbi 10 mijë kuponë dhe shujta përmes kuzhinave qendrore. Për asnjë qas nuk u ndalem për të dalë në ndihmë qytetarëve dhe pikërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro për gjithë pensionistët. Për herë të parë do t’i ndajmë nga 100 euro për gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat”, tha Kurti.

“Të gjithë studentët do t’i marrin nga 100 euro. Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro. Pra edhe do ta rrisim pagën minimale, edhe do ta lirojmë nga tatimi. Ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në fund të muajit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Nga muaji korrik 2021 e deri më sot, kemi ndarë 300 milionë euro për mbi 740 mijë përfitues të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social.
Prandaj, së bashku me ministrin e Ministrisë së Financave, Transfereve dhe të Punës, z. Hekuran Murati, sot prezantuam masa të reja në kuadër të Pakos:

  • Dyfishim i mbështetjes për muajin prill për të gjitha familjet në asistencë sociale. Kjo mbështetje do të jetë mbi rritjen e përhershme prej 30%.
  • 100 euro shtesë për pensionistët për muajin prill. Do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit, e kështu me radhë.
  • Me nga 100 euro, për herë të parë, do të mbështesim të gjithë punëtorët e sektorit privat, rreth 300 mijë punonjës.
  • 100 euro shtesë do t’u ndahen edhe mbi 80 mijë zyrtarëve publikë.
  • Me nga 100 euro do të mbështeten për herë të parë rreth 80 mijë studentë të Republikës.
  • 40 mijë pako ushqimore për shtresat më të cenueshme të shoqërisë tashmë kanë filluar të shpërndahen. Do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore.
  • Kemi punuar për rritjen e pagës minimale dhe për heqjen e shkallës së parë tatimore në të ardhura personale. Nesër në mbledhjen e Qeverisë së Republikës do të miratojmë projektligjin që ndërlidhet me këtë, dhe do të hapim rrugën për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.
    Rreth 100 mijë punëtorë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.
    Kësisoj, 100 milionë euro shtesë do të ndajmë në muajt në vijim mbi ndarjet e deritanishme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e rreth 800 mijë qytetarëve.
    Konsumoni produkte vendore sepse asisoj forcohet zinxhiri i ekonomisë dhe punësimit në Kosovë. Merrni kuponat fiskal sa herë që paguani kudo meqë taksat e kontributet tuaja ne ua kthejmë me rishpërndarje.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën me gazetarë:

Si Qeveri e Republikës së Kosovës nga muaji korrik i vitit 2021 e deri më sot kemi prezantuar e zbatuar vazhdimisht masa, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, e cila në qendër kishte qytetarin dhe ekonominë e vendit.

Patëm filluar me shpërndarjen e shtesave për lehona dhe shtesave për fëmijë. Deri më tani kemi 13 mijë e 285 lehona dhe 146 mijë e 279 fëmijë, që përfitojnë nga këto shtesa. Mbështetëm me 1500 euro ata që kanë humbur familjarin nga virusi COVID-19, e kur familjari ishte staf shëndetësor, mbështetja arrinte vlerën prej 10 mijë euro. Nga kjo masë përfituan 2901 familje.

Pensionin bazik e rritëm për 11 për qind, kurse atë për personat me aftësi të kufizuar për 33 për qind. Madje, në muajin nëntor të vitit të 2021 ndamë edhe 100 euro shtesë mbi këtë rritje. Nga kjo mbështetje përfituan rreth 300 mijë pensionmarrës. Asistencën sociale, prej së cilës përfitojnë 25 mijë familje, e kemi rritur për 30 për qind, e në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, e kemi dyfishuar vlerën e saj, mbi rritjen, të cilën e kishim bërë.

Gjithashtu, për shtresat e cenueshme të shoqërisë, ndamë 10 mijë e 500 kuponë ushqimorë e mbi 200 mijë shujta përmes 13 kuzhinave popullore.

Deri më sot, në kuadër të pakos, ndamë mbi 300 milionë euro për mbi 740 mijë përfitues.

Për asnjë çast nuk u shpërqendruam nga përkushtimi ynë për t’i dalë në krah qytetarëve, më së shumti atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë.

Prandaj, sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos, të cilët kanë për qëllim shtimin e mbështetjes për qytetarët.

Kështu, për muajin prill, do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet, që përfitojnë nga kjo asistencë.

Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit e kështu me radhë.

Për herë të parë do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës, e në kuadër të kësaj mbështetjeje për të punësuarit, do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë.

Pra, po ndajmë nga 100 euro për të gjithë punëtorët, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.

Për herë të parë, po ashtu të gjithë studentët e Republikës do t’i përkrahim me një shumë të njëhershme prej 100 euro. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë.

Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, veçse kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore. Ndërkaq, do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore.

Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës.

Përveç kësaj, në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet nesër, do të miratojmë Projektligjin, që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi.

Fiks, siç kishim premtuar, e siç shkruan në faqen 11 të Programit Zgjedhor e faqen 8 të Programit Qeverisës.

Kështu, sigurohemi, që ata që kanë paga më të ulëta, do të kenë më shumë para në fund të muajit.

Nga rritja e pagës minimale, do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore, do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Tani, në lidhje me kriteret e këtyre masave dhe mënyrën e përfitimit prej tyre, e hollësi të tjera, ia kaloj fjalën ministrit tonë të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati.

Të ngjashme