Limaj inkurajon tregtarët të promovojnë prodhimet vendore

Prishtinë | 18 Tet 2017 | 14:36 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, së bashku me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, vizituan kompaninë “Meridian Express”. Limaj tha se këtë vizitë janë duke e bërë për të treguar edhe njëherë se do të jenë partner kryesor në promovimin e prodhimit vendor, raporton Ekonomia Online.

Ai kërkoi nga bizneset që të ndjekin shembullin e “Meridian Express” dhe t’i hapin dyert për prodhimet vendëse, pasi vetëm kështu sipas tij mund të arrihet zhvillim ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës.

“Qeveria si partner kryesor e ka prioritet mbi prioritetet ka stimulimin e prodhuesve vendorë. Sot me kënaqësi kemi ardhur dhe kemi parë një gjë të jashtëzakonshme, si kompania ‘Meridian’, siç i patë ato produktet me flamurin e Kosovës, një mesazh se ne kemi prodhime dhe kemi prodhime shumë cilësore dhe ato prodhime meritojnë të jenë aty ku duhet t’iu jepet hapësirë të promovohen; sepse promovimi i produkti vendore nënkupton hapje të vendeve të reja të punës,  shtim buxheti e mbi të gjitha shton fuqinë e konsumatorëve”.

“Ftoj edhe kompanitë e tjera të marrin këtë shembull sepse po vjen koha e prodhuesve vendorë. Porosia dhe mesazhi i kësaj qeverie është ne do të jem fuqishëm mbrapa prodhuesve vendorë. Ata do të kenë përparësi. Hapni dyert hapni objektet hapni marketet për prodhimet vendore”, tha Limaj.

Astrit Shabani, drejtor i Klubit të Prodhuesve, kërkoi që përkrahja e prodhimeve vendore të jetë e rregulluar me ligj.

“Një sugjerim yni nga një konferencë, ka dalë që përmes flamujve të mbështeten prodhuesit vendorë. Nga qeveria jonë kërkojmë që kjo të rregullohet me ligj që ta mbështesin këtë vend, të jetë i obliguar me ligj ta përkrahë”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se janë duke punuar që të krijojnë një ligj që do të ndikonte edhe më tutje në promovimin e produkteve vendore, pasi sipas siç tha ai, kjo qeveri e ka ndarë mendjen që të përkrah prodhuesit vendorë.

“Ne jemi duke punuar shumë në drejtimin e hartimit të ligjit për tregti të brendshme. Besoj që do t’i marrim parasysh, edhe shoqatën edhe tregtarëve, që sa më mirë ta përgatisim atë ligj që mendojmë se do t’i favorizojë prodhimet vendore, sepse kjo qeveri e ka ndarë mendjen për mbështetjen e prodhimit vendor”, tha Hasani.

Drejtori i “Meridian Express”, Agon Gashi, falënderoi zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Hasani për vizitën dhe u zotua se do të vazhdojnë të mbështesin prodhimet vendore.

Ai tha se vitet e fundit po përmirësohet vazhdimisht cilësia e prodhimeve vendore.

“Unë lirisht mund të them që prodhimet vendore kanë një kualitet shumë të mirë. Ka prodhues që, sidomos në pesë vitet e fundit, kanë përmirësuar dukshëm në aspektin e kuantitetit dhe të cilësisë”, tha Gashi.

Image may contain: 7 people, people smiling, people standing, suit and indoorImage may contain: 4 people, suit

Të ngjashme