Lluka: Statuti adreson çështjet kryesore për konstitutimin dhe funksionalizimin e Trepçës

Prishtinë | 03 Shk 2019 | 02:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka përgëzuar minatorët, qytetarët e Mitrovicës dhe tërë Kosovës, pas aprovimit të Statutit të Trepçës si shoqëri aksionare në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Lluka ka thënë se statuti i aprovuar i Trepçës mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën si dhe adreson çështjet kryesore për konstitutimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjes, siç janë:

a. Regjistrimi formal administrativ i Trepçës si Shoqëri Aksionare,
b. Kompletimi i Bordit Mbikçyrës siç parashihet me Ligjin mbi Trepçën,
c. Zgjedhja dhe emërimi i Bordit Menaxhues, si dhe
d. Fillimi i investimeve siç parashihet me ligjin mbi Trepçën.

"Miratimi i statutit të ndërmarrjes i hapë rrugë perspektives zhvillimore të Trepçës si dhe bënë të mundur fillimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke rritur vlerën e aseteve dhe duke përmirësuar teknologjinë, të cilat do të mundësojnë që Trepçën ta rikthejmë në një nga gjigantet kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, njëkohësisht duke përmirësuar mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik", ka shkruar Lluka në faqen e tij në Facebook.

“Dua të shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë akterët të cilët kanë dhënë kontributin e tyre drejt finalizimit të statutit të Trepçës: Punëtorët e Trepçës, bordin mbikëçyrës, sindikatën, grupet punuese, kolegët nga kabineti qeveritar, komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik si dhe të gjithë deputetet e Kosovës”.

“Përfundimisht mbyllëm një kapitull disa vjeçarë dhe tani fokusi kryesor do të jetë që ky aset të rikthehet në motorin kryesor të zhvillimit Ekonomik, duke rritur eksportet, përmirësuar bilancin tregtar dhe duke gjeneruar vende pune për qytetarët tanë”, ka deklaruar ministri Lluka.

Të ngjashme