Ministri Reçica: Prioritet shtesat për fëmijët deri në moshë 18 vjeçare, ka pasur rritje të punësimit

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 14:08 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është takuar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ministri Reçica ka deklaruar se, përkundër gjendjes jo të mirë ekonomike në vend, ka pasur rritje të punësimeve edhe në këto kushte, raporton Ekonomia Online.

Reçica, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, u shpreh se pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha në mirëqenie sociale, sidomos në disa kategori që janë përballur me vështirësi edhe para pandemisë.

“Numri i familjeve që kanë përfituar deri më tani nga pakoja emergjente është mbi 24 mijë familje dhe janë alokuar mbi 7 milionë euro. Nga dje është proceduar edhe për muajin qershor. Janë 160 mijë përfitues nga kjo shtesë në kuadër të kësaj mase. Kemi masën 15, pagesën e asistencën mujore. Deri më tani kanë aplikuar mbi 67 mijë persona. 7 mijë janë në proces të regjistrimit, ndërsa mbi 5 mijë kanë përfituar”, ka thënë ai.

Reçica tha se situata me Covid-19 i ka përcaktuar edhe prioritetet për angazhim të institucioneve. Sipas tij, ka rritje të punësimit edhe në këto kushte.

“Objektivi ynë është që përmes kësaj mase të subvencionojmë kompani që të pranojnë punëtorë qe kanë mbetur pa punë. Jemi në fillim të hartimit të strategjisë për mbështetjen e qytetarëve në punësim. Sa i përket pensioneve dhe politikave pensionale, Kosova është një vend i cili nuk ka një sistem pensional të duhur. Skemat të cilat janë ndërtuar ad-hoc, ligjet bijnë ndesh shpesh herë mes vete. Në vitin e kaluar patëm filluar me reformë pensionale”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj, tha se Kosova do të ketë pasoja nga pandemia e sidomos mirëqenia e qytetarëve. Reshitaj pyeti edhe për planet e kësaj mirëqenie.

“Shqetësuese është që nëse në vjeshtë do të hyjë në fazë të dytë të virusit, efekte do të kenë edhe mirëqenie të njerëzve, rënie e mundshme edhe të ardhurave. Kosova mund të ketë pasoja të mëdha pra. A keni bërë ndonjë strategji se si të kaloni këtë kohë?”, u shpreh ajo.

Skender Reçica tha se prioritet i tij do të jenë shtesat për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare dhe që të bëhet ndryshimi i ligjit, ku veteranët e dalë nga lufta të kenë mundësi të punojnë në sektorin privat e të marrin pensionin.

Ndër të tjera, Reçica gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij synojnë të largohen kriteret diskriminuese për përfitim nga asistenca sociale. Ai u zotua se do të stimulojnë familjet për të kërkuar punë që përfitojnë nga asistenca sociale, raporton EO.

Reshitaj u shpreh e shqetësuar dhe pyeti se a ka strategji nga Ministria për stimulim të vajzave dhe grave për shkollim dhe punësim.

“A ka ndonjë politikë Ministria që ti japë prioritet kësaj kategorie dhe në bazë të asaj që tu japim motiv edhe vajzave tjera që të vazhdojnë të shkollohen për të gjetur punë në republikën e Kosovës”.

Reçica konstatoi se numri i grave në tregun e punës është shumë i vogël sidomos në sektorin privat. Ndërsa tha se kanë strategji për stimulimin për shkollim dhe punësim të grave.

“Numri i gruas në tregun e punës është shumë i vogël, sidomos në sektorin privat. Ne kemi filluar me strategjinë sektoriale për punësim e sidomos për të rejat dhe grave. Tashmë e kemi miratuar në Qeveri. Duhet të krijohen mekanizma që të mos detyrohet gruaja për planifikim familjar”, u shpreh ai.

Të ngjashme