Posta e Kosovës dhe e Shqipërisë bisedojnë për projekte të përbashkëta

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 16:55 | Nga

Zyrtarët më të lartë të Postës së Kosovës dhe Postës Shqiptare kanë biseduar të premten për avancimin e cilësisë së shërbimit postar, shërbimit të pagesave dhe shërbimeve dhe produkteve tjera në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

Në takim është biseduar edhe për lehtësimin e mëtejmë të transportit të mallrave të cilat blihen online nga qytetarët e Kosovës, por që vijnë transit përmes Postës Shqiptare.

Delegacioni i Postës Shqiptare i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm Majlind Lazimi, janë pritur nga kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe zyrtarë të tjerë të Postës së Kosovës.

Në këtë takim është biseduar edhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës.

Ekspertë nga të dyja delegacionet kanë diskutuar edhe rreth ndërtimit të platformës e-commerce.

Delegacioni nga Tirana ka vizituar edhe një zyre postare në Gjakovë për të parë nga afër projektin më të ri të Postës së Kosovës dhe kompanisë Zone Mobile përmes të cilit të ofrohen për shitje telefona mobilë, aksesorë të telefonave dhe pajisje të IT.

Udhëheqësit e të dyja administratave postare janë zotuar për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit, përmes marrëveshjeve konkrete.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme