Ekspertët amerikanë: BE-ja i ka vënë ndërskëmbëzën samitit Kosovë-Serbi të udhëhequr nga SHBA-ja

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Dy ekspertët e njohur të institutit “American Enterprise”, Dalibor Rohac and Ivana Stradner, përmes një opinioni të përbashkët të publikuar në National Review kanë thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtat objektiva themelore në Ballkanin Perëndimor, që ky rajon të jetë paqësor, demokratik dhe ekonomikisht i suksesshëm, i bazuar në sundimin e ligjit dhe jo një shesh lojërash për fuqitë revizioniste si Kina dhe Rusia.

Ata kanë thënë se Bashkimi Evropian i ka vënë ndërskëmbëzën samitit Kosovë-Serbi të udhëhequr nga SHBA’ja.

Ky është artikulli i plotë i tyre:

Kur bëhet fjalë për diplomacinë, Presidenti Trump sipas kritikuesve të tij, ka shprehi që t’i rrisë vlerën paraqitjes e jo thelbit. Ka mungesë takti ndaj aleatëve dhe shumë shpesh e vë në dukje egon e tij shpejtë të lëndueshme. Rreth Samitit Kosovë-Serbi gjatë javës që kaloi, të gjitha këto dobësi karakteri u shfaqen publikisht nga Bashkimi Evropian.
Kur fillimisht u bë i ditur lajmi për një samit të Shtëpisë së Bardhë midis udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, shumica e vëzhguesve të Ballkanit u çuditën. Reagimi nga Evropa ishte tërësisht i acartë. “Një marrëveshje e mirë do t’i afronte Kosovën dhe Serbinë me BE dhe nuk besoj se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së atje”, tha përfaqësuesi special i BE për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak.
Nuk është çudi. Përjashtimi i BE-së nga takimi ishte me të vërtetë një veprim i pacipë. Nuk ndihmoi as fakti që i dërguari i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, prezantohet si një figurë e qartë jo-diplomatike. Gjatë dy viteve si Ambasador në Gjermani, ai tjetërsoi pjesën më të madhe të klasës politike të vendit. Kur samiti po përgatitej, ai i fyente kritikët e tij në Twitter: “Ju nuk e dini se për çfarë po flisni. Por jeni shumë të sigurt që po e dini. Tipike!”

Sidoqoftë, nëse e lëmë teatralitetin mënjanë, iniciativa e Grenell ka meritë. Që nga marrëveshja kryesisht aspiruese e Brukselit (2013), e cila e zotoi Kosovën dhe Serbinë për një “normalizim” gradual të marrëdhënieve të tyre, BE-ja ka shumë pak për të treguar për angazhimin e saj gjatë viteve në rajon. Një rifillim i drejtuar nga ShBA i bisedimeve të organizuara rreth çështjeve të integrimit ekonomik, me karotën shtesë të siguruar nga investimet e ardhshme të ShBA mund të ketë qenë joefektive, por nuk ishte i gabuar.

Në fund të fundit, nuk është faji i administratës Trump që pranimi i Serbisë në BE ka ngecur. Kosovës ende nuk i është dhënë e drejta për udhëtim pa viza drejtë vendeve anëtare të BE-së, përkundër përmbushjes së kritereve përkatëse dy vjet më parë. Kombinimi i theksit në rregulla dhe procese nga njëra anë dhe premtime të pambajtura nga ana tjetër ka nxitur cinizëm për BE-në, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Konflikti i ngrirë ka siguruar gjithashtu një hapje për Rusinë dhe Kinën. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur solidaritetin evropian një “përrallë”, ndërsa vlerësoi ndihmën mjekësore kineze në ditët e para të krizës COVID-19. Rusia, ndërkohë, është futur fort në sektorin e energjisë në Serbi dhe ka shfrytëzuar me sukses temat e viktimizimit serb ose atij ortodoks për ndikim të keq dhe për ndërhyrjet e saj. Si ilustrim të interesit të Rusisë për të përjetësuar status quo-në jofunksionale, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në Beograd këto ditë se çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë duhej t’i nënshtrohej aprovimit nga Këshilli i Sigurimit i KB’së – duke rezervuar kështu një fuqi vetoje për Rusinë.

Që nga kur samiti u njoftua për herë të parë, gjërat morën një kthesë në rënie të shpejtë. Të mërkurën, kur Thaçi po udhëtonte për të takuar Vuçiqin në Uashington, Dhomat e Specializuara të Kosovës, një gjykatë e ngritur nën mbështetjen e BE-së, e paditi atë për krime lufte. Grenell cicëroi në Twitter se Vuçiq do të takohej në vend me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Të enjten, Hoti anuloi. Dhe të premten, ai dhe Vuçiq u shfaqën në Bruksel, të pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Përderisa pak prisnin përparime të dukshme në samitin e anuluar në Uashington, takimet e së premtes në Bruksel u organizuan në mënyrë të dukshme si përgjigje e BE-së ndaj iniciativës së ShBA-së, u zhvilluan me fjalë klishe koti. “Mirënjohës [Hoti] zgjodhi Brukselin për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit. Ne do ta mbështesim Kosovën në reformat e domosdoshme në rrugën e saj drejt BE dhe në rigjenerimin pas pandemisë”, shkroi në Twitter Von der Leyen pas takimit të tyre. Në Serbi, nga ana tjetër, “një dialog i gjerë me të gjitha forcat politike është i nevojshëm për të ecur përpara me reformat”. Ndoshta samiti i ardhshëm në Paris, i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të japë rezultate më mbresëlënëse, por ne nuk po vëmë bast për të.

Kur ajo mori pozitën si Presidente e Komisionit të ri Evropian vitin e kaluar, von der Leyen premtoi një “komision gjeopolitik”. Megjithatë, për këtë, nevojitet më shumë sesa thjesht tregim të muskujve për të prishur një iniciativë të drejtuar nga SHBA, pa ofruar një alternativë në vend të saj. Askush nuk e mohon që BE luan një rol kritik në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por kështu veprojnë edhe Shtetet e Bashkuara.

Progresi në rajon, qoftë ai i Marrëveshjes së Dejtonit, përfundimi i dhunës në Kosovë apo ruajtja e sigurisë së saj ka ardhur në vetëm nga bashkëpunimi midis të dyve – jo nga njëra duke i vënë ndërskëmbëzën tjetrit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtat objektiva themelore në Ballkanin Perëndimor: që rajoni të jetë paqësor, demokratik dhe ekonomikisht i suksesshëm, i bazuar në sundimin e ligjit dhe jo një shesh lojërash për fuqitë revizioniste si Kina dhe Rusia. Kush do t’i marrë lëvdatat për zhbllokimin e gjendjes aktuale gjatë periudhës së shkurtër kohore të dhënë nga zgjedhjet e fundit në Serbi, duhet të jetë shumë më pak e rëndësishme. Të shohësh BE-në të bëjë përtej të zakonshmes për të ruajtur gjendjen e tanishme nga frika e marrjes së lëvdatave nga dikush tjetër për përparimin e arritur eventual është zhgënjyese – dhe pozitivisht trumpiane.

Artikullin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Të ngjashme