Ekspozitë për hartografinë evropiane dhe territoret shqiptare, Gashi kërkon fond të veçantë

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 13:17 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur ekspozita “Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare”, koleksion nga Afrim Ethemi.  

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ftoi që ky koleksion të jetë pjesë e një fondi të veçantë i cili do t’i shërbejë institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe historike, raporton Ekonomia Online.

“Ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse hartat janë të rralla. Kjo që po shfaqet sot paraqet një interesim për t’i promovuar dhe paraqitur qytetarëve vlera historike për popullin shqiptar”.

“Me këtë nga ajo çfarë shihet brenda hartave tregohet interesi dhe vlera kulturore për trevat shqiptare. Ky koleksion ofron dëshmi që ofrojnë të dhëna të rëndësishme. Ftoj që nga ky koleksion të bëhet fond i veçantë jo vetëm për ekspozim por edhe për ruajtjen dhe do të jetë në dispozicion të institucioneve të trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës”.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, e quajti këtë koleksion si të paçmuar për historinë shqiptare.

“Në një shoqëri si e jona që është shoqëri e varfër koleksionesh, një koleksion si ky i hartave është shumë më shumë se një koleksion privat i një koleksionisti të përkushtuar. Hartografia evropiane është ekspozitë krejt e veçantë. Këto harta janë një pasuri e paçmuar historike sepse përfshijnë treva shqiptare dhe është fat që i kemi në një koleksion vendorë”.

Autori i ekspozitës, Afrim Ethemi e quajti këtë një punë patriotike për t’i dhënë vendit këtë koleksion hartash, raporton EO.

“Të gjithë nganjëherë jemi në peshë para një udhëkryqi dhe gjëja e parë ishte një hartë. Janë disa ekzemplarë të hartave që dikujt ndoshta i kanë shërbyer për tu orientuar në atë udhëkryq”.

“Këtu ekzistojnë disa kujtesa të kaluarës për një popull i cili ende sot ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence se ku kemi qenë dhe kush jemi, kush kemi qenë e kush jemi”.

“U ofroj mundësinë të tjerëve ta gjejnë një rrugë e cila mund të na drejtojë apo të na japë një mundësi se kush jemi”.

Të ngjashme