Erdogan: Nevojitet urgjentisht zbatimi i reformave në OKB

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Kombet e Bashkuara duhet të reformohen pa vonesë, raporton AA.

Në një deklaratë me shkrim me rastin e 73-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, presidenti Erdogan tha se domosdoshmëria për reforma veçanërisht nevojitet në Këshillin e Sigurimit, i cili është përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Karta e Kombeve të Bashkuara hyri në fuqi më 24 tetor 1945 dhe se kjo shënohet si Dita e OKB-së.

“Njerëzimi sot përballet me një gamë të gjerë të kërcënimeve serioze nga ndryshimet klimatike deri te spastrimet etnike, nga uria derii te ksenofobia, nga epidemitë deri te terrorizmi. Asnjë vend i vetëm nuk mund të përballet me këto probleme të cilat janë një kërcënim për njerëzimin dhe vendosjen e paqes globale”, tha Erdogan.

Duke theksuar se në kuadër të luftës kundër këtyre problemeve platforma më e rëndësishme është OKB-ja, Erdogan shtoi se është e mundur gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme, por vetëm pas reformave strukturore të OKB-së.

“Masakrat në Ruandë, Bosnjë e Hercegovinë dhe lufta civile në Siri e cila ka hyrë në vitin e tetë janë treguesit më konkret se Këshilli i Sigurimit nuk përmbushë detyrat e tij. Prandaj u bëjmë thirre për reforma urgjente”, ka thënë Erdogan.

Ai përsëriti sloganin e tij të famshëm se “Bota është më e madhe se pesë”, i cili i referohet pesë anëtarëve të përhershëm me të drejtë të vetos në Këshillin e Sigurimit. Erdoğan më tej deklaroi se nuk mund të arrihet paqja në botë derisa nuk korrigjohen pozitat e pajustifikuara në Këshillin e Sigurimit.

“Turqia do të vazhdojë të mbështesë reformat në OKB, të cilat këtë organizatë do ta bëjnë të drejtë, demokratike, transparente, efikase dhe të përgjegjshme”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia zbaton një sërë aktivitetesh paqeruajtëse, anti-terroriste dhe humanitare nën kujdesin e OKB-së.

Ai gjithashtu tha se Turqia është angazhuar për ta bërë Stambollin qendrën e OKB-së, ku do të zhvendosen zyrat e disa organizatave të OKB-së.

“Unë përgëzoj ditën e OKB-së me dëshirën që kjo organizatë të sjellë paqen dhe sigurinë globale”, tha Erdoğan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme