Kryetari i Asociacioni për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional i Kosovës Shkëlzim Murtezi, së bashku me drejtorin Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (Ministria e Arsimit…), Ragip Goshi, kanë mbajtur një takim me pronarin e fabrikës gjermane për auto-pjesë “Wolpert-Holding GmbH”, Josef Wolpert për të shqyrtuar mundësinë e trajnimit të nxënësve për dirigjimin automatik të makinerisë prodhuese me sistemin CNC për nevojat e kësaj kompanie.
Kompania “Wolpert-Holding GmbH” synon që në të ardhmen të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e auto-pjesëve në Kosovë.
Andaj për këtë fabrika planifikon që në Bashkëpunim me shkollën Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë përfaqësuar nga zv/drejtori Blerim Gërvalla dhe nga profesori Ardian Ramadani, të përgatisin kuadro profesionale që mund të shërbejnë në të ardhmen në fabrikën e tyre në Kosovë, apo edhe në Gjermani.
Pronari kësaj fabrike Wolpert shprehi interesimin për të mbështetur shkollën “Shtjefën Gjeçovi” me pajisjet e duhura softuerike dhe mekanike për të krijuar kuadro të përgatitur profesionalisht sipas nevojave të kësaj fabrike.
Nga ana tjetër është ofruar mbështetja e plotë institucionale dhe organizative nga ana e Asociacionit dhe Agjencisë, pasi që për ketë janë dakorduar për hapat konkret që do të ndërmerren për të mbështetur këtë investitor potencial gjerman.
Pas mbledhjes së mbajtur është vizituar shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi” dhe profesorët e kësaj shkolle Ramadani dhe Gashi mundësuan investitorit që të njoftohet me mundësitë konkrete për përgatitjen profesionale të nxënësve, duke pasur parasysh që shkolla në fjalë është me e avancuara në Kosovë për mësimdhënien në këtë fushë.