Ferizaj përfitoi një autoambulancë, donacion nga Ministria e Shëndetësisë

Prishtinë | 31 Dhj 2019 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Kujdesi Parësor Shëndetësor, tashmë do ta ketë më të lehtë reagimin në rastet urgjente, meqë ka kompletuar infrastrukturën mjekësore në këtë drejtim. Edhe autoambulanca në vlerë prej afro 43,000 eurove që sot i’u dhurua Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj dhe disa të tjera të dhuruara nga donatorë të huaj, janë tashmë të gatshme e të domosdoshme për t’i vënë në punë.

Për ta pranuar donacionin e sotëm nga Ministria e Shëndetësisë, dolën drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, bashkë me drejtoren e QKMF-së Nadire Ymeri dhe staf e drejtues të tjerë të këtij institucioni.

Ata thanë se ky donacion, autoambulancë e re, do të shërbej që të rritet performanca dhe shkurtohet në maksimum koha e reagimit në rastet urgjente. Shto kësaj, tashmë punonjësit shëndetësor kanë pajisjet e automjetet me standardet më të larta për reagim të shpejt, falë edhe donacioneve që u ndanë këtë vit nga donatorë të huaj.

Janë 4 Komuna të Republikës së Kosovës që sot përfituan këto donacione nga Ministria e Shëndetësisë, në mesin e tyre edhe Ferizaj, për të cilën drejtues të shëndetësisë lokale u shprehën falënderues.

Të ngjashme