Filozofia si art i të jetuarit

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 13:51 | Nga Afrim Kasolli

Ekziston një prirje e përgjithshme për ta parë filozofinë si një disiplinë të pastër akademike, të mbyllur brenda kullave të fildishta të institucioneve shkencore dhe pa ndonjë lidhje konkrete me jetën reale. Kurse filozofët si qenie të zhytura në sferën e tyre “autiko” intelegjibile e që nuk shohin asgjë para syve të tyre.

Shpërhapjes së këtij opinioni mbase i ka ndihmuar supozimi mbi mënyrën e të filozofuarit që thuhet se e inauguruan para-sokratikët. Është e njohur edhe ajo tallja që një grua në qytetin e Miletit e kishte bërë ndaj Tales-it, duke i thënë “O Thales po çka të duhet të vëzhgosh në qiell kur nuk sheh asgjë para syve të ty”, pasi filozofi i këtij qytetit ishte rrëzuar në një gropë deri sa ishte duke i vëzhguar yjet dhe qiellin.

Po ashtu gjakimi për këtë formë te mendimit zuri fill brenda rretheve dhe shkollave të ngushta të dijetareve të moçëm dhe vetëm ndërmjet atyre që i bashkonte miqësia dhe dashuria për urtësinë. Nuk është e rastësishme që vetë nocioni i saj është kombinim i dy shprehjeve të vjetra greke philía (φιλία) që e nënkupton dashurinë, pasionin, miqësinë dhe sophía (σοφία), urtësinë, mençurinë, diturinë etje etj.

Kështu, në vend të religjionit dhe miteve që kishin dominuar deri atëherë si mënyra të shpjegimit të botës, me lindjen e filozofisë u etablua edhe një disiplinë e veçantë kontemplative e cila synonte t’i shpjegonte “enigmat metafizike” dhe parimet e para, apo shkakun fillestar të botës dhe gjithçkaje tjetër, duke u bazuar mbi premisat e logos-it (λόγος,). Kurse këto shkolla thuajse e kishin karakterin e “sekteve” të mbyllura brenda të cilave kultivohej një formë e veçantë metodike e të menduarit, qëllimi i së cilës ishte që ta bënte prezente para syve të mendjes, pikërisht atë që nuk mund të kapej nga përvoja shqisore e njerëzve. Në këtë drejtim më e njohura pa dyshim mbetet shkolla pitagoriane

Mirëpo, përkundër këtij përfytyrimi, filozofia kurrë nuk ka pasur vetëm këtë karakter “hermetik”. Ajo shumicën e kohës gjatë ekzistencës së saj mijëravjeçare është konsideruar edhe si disiplinë që e ka pasur për mision se si t’i instruktojë njerëzit që ta jetojnë një jetë të drejtë, racionale dhe të virtytshme, e të udhëhequr nga parimet e përgjithshme. Dhe kjo kthese i atribuohet mësimeve të Sokratit.

Prandaj, me të drejtë Leo Straus-i, duke iu referuar Ciceron-it pohon “se ishte Sokrati, ai i cili e zbriti filozofinë nga qielli ne tokë, për ta themeluar në qytete, futur ne familje, rreth jetës së njeriut dhe mënyrave të shqyrtimit te së mirës dhe së keqes”

Kurse, sipas W.Windelband në librin “A History of Philosofy” krahas aspektit teorik të sipër cekur, filozofia në periudhën helenike, shumë shpejt mori edhe karakter praktik, ajo u konceptua edhe si një art i te jetuarit, duke u bazuar mbi parimet e njohjes. Dhe se kjo kthesë padyshim është pasojë e filozofimeve që e inauguruan sofistet, si dhe reagimit të Sokratit ndaj mësimeve të tyre.

Siç dihet, të parët filluan ta promovojnë frymën e relativizmit, retorikës dhe afirmimin e asaj që është e dobishme vetëm për përvojën subjektive të njeriut. Ata i mësonin njerëzit vetëm se si ta fitonin debatin momental. Kështu “njerëzit e dijes u shndërruan më mësues të elokuencës”, për shkak të nevojave politike dhe praktike të kohës. Kurse Sokrati i qëndroi konsekuent bindjes së detyra e filozofisë duhet të jetë kërkimi konceptual dhe universal i së mirës dhe virtytit. Dhe që nga ajo kohë filozofisë kurrë nuk i është shqitur ky dimension praktik i saj. Për mendimtarin antik hulumtimi i filozofisë duhet të na shpie drejt vetë-njohjes. Kurse sipas, Michel Foucault, në sfond të këtij imperativi etik dhe gnoseologjik, qëndronte thirrja për përkujdesje ndaj vetës, apo të shpirtit ( care of the self).

Ndërkaq, si rezultat i kësaj shtytje janë krijuar praktika të shumëfishta që mëtonin ta formonin subjektin etik, qëllimi i të cilave ishte sigurimi i sovranitetit, pavarësisë dhe mirëqenies shpirtërore të personalitetit njerëzor. Shumë rryma te mëvonshme filozofike sikur se; ajo epikuriane, cinike, stoike etj, e afirmuan këtë rolë “terapeutik” te filozofisë.

Prandaj, falë kësaj trashëgime, filozofia kurrë nuk kishte qenë e mbyllur vetëm si një disiplinë e mbyllur institucionale, por më shumë ajo ishte trajtuar si art i të jetuarit. Kurse, si e tillë ajo u bë shumë vonë. Fillimisht me gjermanët. Kurse me vonë këtë model e imituan edhe popujt tjerë. Por, edhe përkundur institucionalizimit të saj, shumë mendje filozofike, sikur se, Baruch Spinoza e Friedrich Nietzsche, i krijuan veprat e tyre duke mos qenë pjesë e asnjë institucioni të tillë. Madje i pari punonte në një punishte të syzeve, me qëllim që ta siguronte ekzistencën për ta shkruar veprën e tij “Etika”. Kurse i dyti e braktisi një karrierë të tillë.

Mbase, krijimi i këtyre mendjeve të pavarura dhe autonome që u shfaqen në rrjedhën e këtij civilizimi është fryt i kësaj përvoje unike të filozofisë si një art i të jetuarit më shumë se sa si disiplinë akademike. Ku kriter qenësor i saj për filozofim ishte liria e mendjes dhe çlirimi i saj nga çdo kufizim institucional, politik dhe administrativ. Dhe se burokratizimi i kësaj disipline sot ia mohon asaj pikërisht frymën që i dha jetë historikisht, duke e shndërruar atë nga nje art për ta siguruar lirinë e mendjes dhe shpirtit në mjet të mbijetesës dhe ruajtjes së status-qous.

Të ngjashme