Finlanda i frikësohet Kosovës

Prishtinë | 27 Gus 2016 | 22:04 | Nga

Lukas Hradecky, portieri i Finlandës, e ka pranuar se nuk do ta kenë aspak lehtë ndaj përfaqësueses së Kosovës.

Portieri i Finlandës, Lukas Hradecky, thotë se përfaqësuesja e Kosovës në futboll është një mister për Finlandën. Por, ai është në dijeni se nuk do ta ketë një përballje të lehtë më 5 shtator në Turku.

Kosova do të përballet me Finlandën në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2018. Do të jetë ndeshja e parë në eliminatoret për Botërorin 2018 për të dy përfaqësueset.

“Mendoj se është një mister i vërtetë. Mirëpo, e sigurt është se nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Kosova ka lojtarë të fortë”, ka thënë Hradecky për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Finlandës.

“Ne ende nuk e dimë se cilët lojtarë do të luajnë për të, varet se cilët do të afrohen në radhët e saj. Unë shpresoj që tifozëria në Turku të na ndihmojë drejt fitores”, ka theksuar ai.

Edhe mbrojtësi i Werder Bremenit, që prej vitesh luan me Finlandën, Niklas Moisander, ka thënë se asnjë ndeshje nuk është e lehtë, përfshirë edhe kjo me Kosovën.

“Mendoj se kemi mendime pozitive. Por, siç e pamë edhe në kualifikimet e fundit, asnjë ndeshje nuk ishet e lehtë. Ne duhet të shkojmë në secilën ndeshje me përultësi dhe sjellje të mira”, thotë Moisander për faqen zyrtare të Federatës së Finlandës.

Filandë – Kosovë luhet në qytetin e Turkus, dhe kjo do të jetë nëj motiv shtesë për Moisanderit, pasi në këtë qytet ka marrë hapat e parë si futbollist.

“Ndeshjet ndërkombëtare janë gjithmonë të mëdha. Stadiumi olimpik është shtëpia jonë, por meqenëse aty po rinovohet, dhe meqenëse banoj në Turku, kjo për mua është një gjë e mrekullueshme të luash aty, pasi shumë familjarë dhe miq mund të të shohin nga afër”, shtoi mbrojtësi finlandez.

Takimi debutues për Kosovën në ndeshje kualifikuese nis nga ora 20:45.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme