Fshati i Prishtinës që nuk ka asnjë rrugë të asfaltuar

Prishtinë | 23 Jan 2021 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e kushteve elementare për jetesë në zonën e Gollakut ka bërë që banorët të kenë probleme të mëdha.

Ndër problemet e shumta, fshati Gllogovicë në Komunën e Prishtinës po përballet me mungesën e infrastrukturës.

Asnjë rrugë e këtij fshati nuk është rregulluar nga institucionet lokale.

Banorët të cilët janë zhgënjyer shumë me Komunën thonë se fshati i tyre është i vetmi në Kosovë që është në një gjendje të tillë.

Për përfaqësuesin e fshatit, Asllan Bekteshi kjo gjë është skandaloze.

“Fshati Gllogovicë është i veçantë jo vetëm në këtë rajon por mund të them në gjithë Kosovën, nuk është prekur asnjë rrugicë e vetme. Çka është më e keqja më skandalozja, kanë qenë njëherë një ekip të cilët kanë dalë dhe e kanë matë një rrugë këtu ku unë banoj kanë thënë se do e ndërtojnë, kur kanë shkua më nuk kanë ardhur këndej”, ka deklaruar Asllan Bekteshi, përfaqësues i fshatit Gllogovicë.

Sherrin rrugëve të pashtruara po ua shohin edhe gjatë dimrit, pasi kompanitë e pastrimit nuk hyjnë për t’i hapur rrugët e paasfaltuara.

“Kjo rrugë që po shihet tash është ndërtuar para 10 viteve, por për neve është gjysmake, sepse asnjë rrugicë tjetër që kanë lidhje me rrugën kryesore nuk janë të shtruara dhe janë pothuajse të pakalueshme. Shpeshherë ndodh që edhe kompania e pastrimit kur del t’i pastrojë thotë se nuk i pastrojmë këto rrugë se nuk janë në tender, ku s’ka asfalt ne nuk hyjmë. Kjo është për keqardhje, jemi në një situatë shumë të vështirë”, ka shtuar Bekteshi.

Zenel Bekteshi thotë se në këto kushte nuk banohet, por aty kanë mbetur vetëm ata që nuk kanë pasur mundësinë të largohen.

“Jemi mbetur njerëz që jemi pa kushte, diku duhet të rrojmë disi, megjithëse jemi shumë të larguar nga komuna. Jemi të zhgënjyer, jemi të mllefosur shumë, nuk kemi ndihma, s’kemi asgjë”, është shprehur Zenel Bekteshi, banor i fshatit.

Në anën tjetër, ky fshat po përballet edhe me mungesë të energjisë elektrike që nga vërshimet e fundit në vend.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se rregullimi i prishjeve në këtë pjesë është vonuar për shkak të pozitës së vështirë gjeografike që ka. Sipas tij, sot do lëshohet rryma në këtë zonë.

“Është lajmëruar, po flasim për zonën e Prishtinës ku është pothuajse bjeshkë. Për shkak të kushteve atmosferike kanë ndodhur një varg prishjesh. Ne kemi dërguar ekipet menjëherë që t’i sanojmë ato. Madje javën e kaluar gjithë ekipet e Prishtinës i kemi dërguar atje në mënyrë që të sanohen sa më shpejtë. Ekipet vazhdojnë të jenë atje, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë energji elektrike, presim që sot të ju rikthehet energjia elektrike të gjithëve”, ka thënë Buzhala.

Banorët ankohen se edhe mungesa e transportit publik po bën që ata të ndalen nga shkolla dhe puna. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme