Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri duke folur për zgjedhjet e parakohshme, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje.
“Çdo parti politike serioze duhet të jetë e gatshme për zgjedhje, por natyrisht ne që për herë të parë po e udhëheqim shtetin me kryeministrin, pretendojmë që të shkojmë deri në afatin kushtetues, në vitin 2018”
“Një subjekt politik nuk mund të shkojë vetëm në zgjedhje e as t’i ndalë ato, këto janë çështje kompromisi por them se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje nacionale”.
Gaxherri ka folur edhe për koalicionin qeverisës PDK-LDK duke e quajtur si të vështirë.
“Nuk është lehtë qeverisja me rivalin kryesor, PDK-në. Në atë moment që PDK mendon se duhet të shkojmë në zgjedhje, duhet ta thotë drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është problem”.
“Është shumë e vështirë se janë dy filozofi krejt të kundërta por ne tashmë kemi marrë përgjegjësinë”.
Gaxherri ka folur edhe për iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri.
“Nuk ka asnjë qytetar, asnjë shqiptar nuk e pret me admirim transformimin e FSK-së në Ushtri dhe duke pasur parasysh edhe situatën gjeo-politike globale ne duhet të kemi Ushtri”.
Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për Ushtri, por vetëm në koordinim me ndërkombëtarët.
“Iniciativa e Thaçit është e ngutshme dhe e pakuptueshme, më shumë e shtyrë nga bajraktarizmi”. (Klan Kosova)