Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka braktisur konferencën me gazetarët pas ardhjes nga Sofja, për shkak të një debati me gazetaren e Fax News, Ambrozia Meta.
Gazetarja: A nuk ka PS njerëz, që nuk kanë vëllezër apo kushërinj të lidhur me drogën që të drejtojë Ministrinë e Brendshme?
Rama: Pyet pronarin se dhe ai ka një vëlla që a do të ishte i gatshëm ai pronari juaj që të jepte llogari për vëllain e tij?.
Gazetarja: Unë po ju pyes juve, sepse jeni kryeministër që qeverisini vendin
Rama: Nuk jemi duke bërë debat, ju bëtë pyetjen unë ju jap përgjigje. Dhe përgjigja ime është kjo pyesni pronarin tuaj dhe thuani që a ka ai vetë ndonjë përgjegjësi për vëllain, se janë në një fushë të dy.
Gazetarja: Pronari im nuk ka lidhje me rendin dhe me qeverisjen e vendit kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend. Unë ju pyeta pse duhet të jetë kaq e diskutueshme një ministri, pse duhet të kemi gjithmonë ministra që implikohen në këtë çështje, për shkak se është një nga ministritë më të rëndësishme të vendit. Kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend për pronarët e televizioneve sepse nuk lidhen me qeverisjen e vendit.
Rama: Kurse unë e gjej pa etikë që ju jeni këtu gazetare për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë.
Gazetarja: Nuk është propagandë, është pyetje referuar zhvillimeve. Kemi një ish ministër në arrest shtëpie për trafik droge, dhe një ministër të Brendshëm që akuzohet se i ka krijuar imunitet të vëllait. P{yetja ime është pse duhet të jenë persona të tillë të implikuar dhe të akuzuar. Nuk është propagandë.
Rama: Unë jam respektues…
Gazetarja: Dhe unë jam respektuese po nuk mund të pranoj që po bëj propagandë se nuk është propoagandë po thjesht një pyetje
Rama: Hajde këtu dhe mbaro konferencën e shtypit të thuash fjalën e fundit. Mirupafshim!