Gjashtë të vdekur nga përplasja e kamionit në Holandë

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë mbetën të lënduar në Holandë, pasi një kamion ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një grup që po bënin grill, shkroi të dielën “Euronews”.

Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e së shtunës në fshatin Nieuw-Beijerlanda në jug të Roterdamit, ka njoftuar policia.

Shkaku i kësaj përplasjeje është duke u hetuar nga organet e rendit, derisa zëdhënësi i policisë, Mirjam Boers, ka thënë se shoferi i kamionit është një 46-vjeçar spanjoll që nuk ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e përplasjes.

“Për momentin po i mbajmë të hapura të gjithë skenarët rreth fakteve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kryebashkiaku lokal Charlie Aptroot vizitoi vendin e ngjarjes të shtunën mbrëma.

“Ngushëllimet e mia shkojnë për viktimat, familjet e tyre, dëshmitarët okularë dhe reaguesit e parë”, tha ai në një deklaratë.

Ai shtoi se ka folur me shumë nga njerëzit në vendngjarje dhe shprehu vlerësim për mënyrën në të cilën njerëzit janë atje për njëri-tjetrin.

Të ngjashme