Gjashtë vjet nga vdekja e Fadil Vokrrit, Ademi: Këmbëngulësia e tij bëri që Kosova të bëhet pjesë e UEFA-s

Prishtinë | 09 Qer 2024 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Sot bëhen gjashtë vjet që nga vdekja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

Me këtë rast, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, teksa ka përkujtuar në gjashtë vjetorin e ndarjes nga jeta, ka thënë se Vokrri thihmonë do të kujtohet me mirënjohje e respekt, raporton Ekonomia Online.

“Sot, bëhen gjashtë vjet pa Legjendën e futbollit tonë, Fadil VOKRRI!  9 qershori i vitit 2018 mbetet datë që sjellë ndjesi nostalgjie, por edhe krenarie për trashëgiminë e pasur që Vokrri la te të gjithë ata që e adhuruan, por edhe patën fatin ta njohin nga afër dhe të punojnë me të. Fadil Vokrri ishte një futbollist i jashtëzakonshëm dhe i përmasave botërore. Talentin që ia dhuroi Perëndia, ai e shndërroi në pasion dhe dashuri të pakufishme për lojën magjike të futbollit”, ka thënë Ademi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Ademi tha se përtej talentit në fushë, Fadili ishte njeri me zemër të madhe dhe mendjeprehtë, teksa disa vjet pas çlirimit të vendit vendosi që të kthehej në vendlindje dhe të kontribuonte në udhëheqjen e klubit të tij të zemrës, e më pas edhe të Federatës.

“Ardhja e tij ishte shpresë, teksa misioni i përbashkët ishte anëtarësimi në UEFA e FIFA. Ndonëse ky rrugëtim nuk ishte i lehtë, autoriteti dhe këmbëngulësia e tij, por edhe i të gjithë atyre që ishim pjesë e Federatës, si dhe mbështetja e institucioneve vendore dhe faktorëve ndërkombëtarë, bëri që ky mision të përmbyllej suksesshëm në maj të vitit 2016. Fadil Vokrri ishte simbol uniteti për futbollin, derisa trashëgimia që la pas është një thesar i paçmuar. Teksa nderojmë Legjendën tonë, ne i jemi mirënjohës për gjithçka që bëri për futbollin në Kosovë”, shtoi Ademi.

Kreu i FFK-së, theksoi se të frymëzuar nga trashëgimia e tij do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për një të ardhme të ndritur për brezat e rinj, me besim të plotë se vendi do të japë edhe shumë talente si ai.

Të ngjashme