Gjykata merr vendim për Shefqet Krasniqin

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 14:03 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në lidhje me kërkesat për hedhje poshtë të aktakuzës në rastin e Shefqet Krasniqit që akuzohet për nxitje në kryerje të veprave terroriste, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.

KALLXO.com merr vesh se gjykata refuzoi kërkesat për hedhje poshtë të aktakuzës të bëra nga mbrojtja e Shefqet Krasniqit, duke i dhënë kështu dritë të gjelbër vazhdimit të procesit gjyqësor kundër ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Në seancën e kaluar të këtij procesi gjyqësor që u zhvillua më 14 dhjetor, Shefqet Krasniqi u deklarua i pafajshëm dhe deklaroi se nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet.

Në aktakuzë konstatohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej 20,208.57 €.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme