Gjykata shpalli dënimet lidhur me vrasjen e policit Shemsi Gashi në lagjen Mati në Prishtinë

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykimin për vrasjen e policit Shemsi Gashi, Gjykata ka shpallur verdiktin ndaj personave të akuzuar lidhur me këtë vrasje.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, si dhe dy anëtarët e tjerë, gjykatësit Beqir Kalludra e Kujtim Krasniqi, pas rigjykimit të këtij rasti kanë shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarit Ramadan Gashi i është shqiptuar dënimi me burgim prej 25 vjetëve.

Vesel Gjinovci është dënuar me 8 vjet burgim.

Me 5 vjet burgim është dënuar Kujtim Bejiqi, Vesel Bunjaku me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adonis Gashi me 5 vjet e 10 muaj burgim.

Kurse Mujë e Agron Gashi janë liruar nga aktakuza.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Sipas Gjykatës së Apelit, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka pasur kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim si dhe deklaratave të dhëna nga dëshmitarët

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte shqiptuar 58 vjet burg shtatë të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi ndërsa njërin nga të akuzuarit Agron Gashin e kishte shpallur të pafajshëm, raporton KALLXO.com.

Herën e parë i akuzuari Vesel Gjinovci ishte dënuar me 9 vjet e gjysmë burg në akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje, Kujtim Bejiqi ishte dënuar me 6 vjet burg, Ramadan Gashi i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 25 vjet, Mujë Gashi ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje, Robert Gashit për veprën penale moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 3 vjet burgim, i njëjti ishte liruar nga vepra penale armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore Vesel Bunjakut i kishte shqiptuar dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Adonis Gashi ishte dënuar me 4 vjet burgim.

Kurse ndaj të akuzuarit Agron Gashi, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme