Hahn: Kosova s’është kushti i vetëm për anëtarësimin e Serbisë në BE

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se zgjidhja e çështjes me Kosovën nuk është kushti i vetëm për Serbinë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Sipas tij Beogradi të përfundojë dhe të përmbushë marrëveshjet e arritura me Prishtinën të cilat i kontribuojnë stabilitetit të rajonit, shkruan Vecernji Novosti.

“Duket se shumë, përfshirë politikanë, kanë përshtypjen që zgjidhja e çështjes me Kosovën është parakushti i vetëm për Serbinë në rrugën drejt BE-së. Por nuk është kështu. Implementimi i reformave në fushën e rendit dhe ligjit, të drejtat fondamentale dhe qeverisja e mirë mbeten në zemër të procesit të zgjerimit”, ka thënë Hahn.

Ai ka theksuar se asnjë shtet nuk mund të hyjë në BE pa zgjidhur çështjet e hapura bilaterale. Sipas Hahn për Serbinë kjo nënkupton “përfundimin dhe përmbushjen e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën”.

Komisionari Evropian ka thënë se në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit “një marrëveshje e përhershme nënkupton një zgjidhje që është e qëndrueshme, realiste dhe në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe BE-në”.

“Çdo marrëveshje duhet të jetë specifike dhe e thurrur mirë, jo të krijojë precedent por të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe në rrugën e rajonit drejt BE-së. Në të njëjtën kohë, BE nuk spekulon në elementet e mundshme të marrëveshjes përfundimtare ligjore”, është shprehur Hahn.

Ai ka shtuar se procesi i brendshëm i reformave në BE, forcimi i saj dhe puna me vendet kandidate që kanë shprehur vullnetin për t’u anëtarësuar në BE “mundet dhe duhet të shkojë paralelisht”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme