Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ka vizituar Stacionin e Trenave në Prishtinë ku është hapur ekspozita “Eksodi ‘99”, një hapësirë e dedikuar për kujtesën e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë pranverës së vitit 1999.
Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka shkruar se , kjo ekspozitë ofron një përjetim domethënës që kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë.
Postimi i saj i plotë:
I themeluar nga “Reporting House”, në Stacionin e Trenave në Prishtinë është hapur Muzeu “Eksodi ‘99”, një hapësirë e dedikuar për kujtesën e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë pranverës së vitit 1999.
E vendosur brenda një vagoni treni, kjo ekspozitë ofron një përjetim domethënës që kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë. Iniciativa të tilla kanë vlerë të veçantë në edukimin e brezave të rinj dhe në nderimin e përvojave të atyre që përjetuan ngjarjet e vitit 1999.
Gjatë vizitës së sotme, kishim mundësinë të shihnim se si përmes 48 rrëfimeve autentike të të mbijetuarve, të organizuara në katër tema kryesore, ekspozita sjell një dëshmi të fuqishme të përjetimeve, sfidave dhe qëndresës së qytetarëve tanë gjatë dhe pas luftës.