Hapet Panairi i Librit “Tirana 2016”

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 21:26 | Nga

Panairi i librit “Tirana 2016”, ngre, të mërkurën, siparin për të 19-tin vit radhazi. Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe është i vetmi aktivitet kulturor që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri në një intervistë për radio “Spektrum”, sqaron se edhe këtë vit do të ketë shumë autorë vendas dhe të huaj por gjithsesi prurjet e reja do të jenë më të pakta si pasojë e krizës ekonomike që ka prekur edhe shtëpitë botuese.

Panairi fillon nesër më 9 nëntor në orën 09:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë 5 ditë të plota, deri të dielën në orën 21:00.

Sa i takon aktiviteteve, Ymeri tha se të mërkurën në orën 11:00 në sallën ovale në Pallatin e Kongreseve do të bëhet hapja zyrtare, për të vijuar më tej ditën e enjte ku do të mbahet një seminar për përkthimet nga gjuhët e vogla, si vijnë ato për lexuesin, (gjuha sllave, greke, polake, holandishtja, turqishtja etj.)

Ditën e premte do të prezantohet projekti i përkthimeve të botimeve që kemi me Republikën Popullore të Kinës, një projekt i prezantuar në muajin gusht nga pala kineze në Panairin e Librit në Pekin. Në kuadër të këtij aktiviteti do të promovohet libri i parë i këtij projekti, “Historia e Kinës”.

Ditën e shtunë do të jepen çmimet e panairit, autori më i mirë i vitit, përkthyesi më i mirë i vitit dhe

libri më i mirë për fëmijë. Këtë vit nuk do të ketë çmime jubilare për arsye të buxhetit të kufizuar.

Kreu i Shoqatës së Botuesve sqaron se pavarësisht mungesave, interesi kryesor mbetet lexuesi, që të mundet të gjejë titujt për të cilët është i interesuar dhe pse jo edhe me çmim më të lirë, çdo shtëpi botuese ka politikat e saj në këtë drejtim.

Disa nga botimet e reja do të jenë: “Historia e ShBA-së”, “Historia e Kanadasë”, “Historia e Kinës”, “Vëllimi i 8 i Harry Potter” etj..

I pyetur për librat që do të sugjeronte, Ymeri liston: “Pianisti”, “Burri që këqyr” (Alberto Moravia), “Salla e ujqërve” (Hillary Manteli), “Historitë e Kromwellit”, “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra” etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme