Hapja e Urës së Ibrit, strategji elektorale apo përkushtim ndaj lëvizjes së lirë dhe shtrirjes së sovranitetit?

Prishtinë | 04 Gus 2024 | 11:56 | Nga Hisen Berisha

Mbyllja e Urës së Ibrit në Mitrovicë është padyshim një pengesë për lëvizjen e lirë dhe integrimin e komuniteteve. Ndërsa hapja e kësaj ure është një hap i nevojshëm për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe për të forcuar kohezionin shoqëror dhe ekonomik ndërmjet dy pjesëve të qytetit. Zaten këto janë edhe parimet e BE, MCA, por edhe Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera rajonale.

Mbështetja e hapjes së urës, është e kuptueshme dhe e drejtë. Edhe unë personalisht e mbështes hapjen e urës për këmbësorë e mjete transporti si në urat tjera mbi Lumin Ibër.

Megjithatë, është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për t’i bindur ata se ky hap është në interesin e përgjithshëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Kjo kërkon përgatitje të duhur dhe garanci se qeveria është e gatshme të marrë masat e nevojshme për të parandaluar çdo incident apo tension që mund të lindë.
Për ta pasur një pasqyrë me të qartë rreth kësaj situate ne duhet adresuar disa pyetje rreth takimit të Kryeministrit me përfaqësuesit e QUINT dhe se çfarë ju tha aty.
Pra çështja shtrohet se:
Çka i than ambasadoret e QUINT Kurti për iniciativën e hapjes së urës?
A ju tha se do vendoset KFOR/NATO mbi urë nëse Kurti do të bëj veprime të njëanshme?!
A është ideja për një takim me mërgimtarë mbi urë (takim në frymë patriotike patetike mbi urën mbi Ibër) provokim i futjes së urës nën administrim ndërkombëtarë të NATO dhe KS/OKB?!
Nëse vije deri te vendosja e KFOR mbi urë, atëherë a do të qoj kjo në drejtim të njëjtë si veprimi me pasaportat paralele serbe? Pra a po do Kurti që edhe me çështjen e urës të ndodh si me pasaportat paralele ilegale serbe?!
Lidhur me këto shqetësime që duan sqarim nga Kurti jo transparent me qytetarët dhe spektrin politik, kemi vetëm një deklaratë solemne të Ambasadorit fuqiolotë të SHBA, se: “Ne, përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës”.

Atëherë duhet ta thëm pa ekuivoke se, fatkeqësisht, kryeministri Kurti po insiston ta hap urën në prag të zgjedhjeve për efekte elektorale, për të forcuar mbështetjen politike duke rritur nacionalizmin e popullzimin për ta ruajtur votën. Kjo është një shkollë e vjetër e regjimeve totalitare komuniste që udhëhiqen nga doktrina e varfërimit të qytetarëve dhe mashtrimit, si dhe teoritë konspirative të frikësimit të qytetarëve, me tema që janë jashtë fuqisë së vet shtetit.

Megjithatë, e siguroj Kryeministrin Kurti se kur është në pyetje dhënia e votës, qytetarët kosovarë janë emancipuar tanimë dhe për të votuar do të adresojnë shumë pyetje për kauzat, premtimet dhe zotimet e bëra nga kjo qeveri para dhe gjatë fushatës së këtij kryeministri dhe LVV apo koalicionit qeverisës. Ato do të konsistojnë në realitetin e përditshëm popullor, dhe prioritetet e tyre mbeten paga dinjitoze, lufta kundër korrupsionit e nepotizmit, luftës kundër krimit ordiner dhe të organizuar, zhvillimit ekonomik, infrastrukturor dhe arsimim e shëndetësi më të mirë, sigurime shëndetësore dhe shoqërore, siguri, etj.
Qytetarët votues do të pyesin a kanë pagë më të mirë, a pati rritje të pensioneve, a patën çmime më të lira, a u bënë sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore, a pati korrupsion më pak, krime më pak, investime kapitale e zhvillim më shumë, arsim e shëndetësi më të avancuar, a janë përmirësuar kushtet e shërbimit për ushtarët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e administratës shtetërore, me theks atyre që punojnë në sektorin privat, si po vazhdojnë të poshtërohen kategoria më sublime e vendit tonë që janë ato të luftës, veteranë, invalidë dhe familjarë të dëshmorëve, që nuk mbajnë përgjegjësi për pretendimet që i ka marrë për shkas diskriminimi kjo qeveri, përmes gjykatave, etj.

Qeveria Kurti është dashur t’i adresojë të gjitha këto çështje e shumë të tjera që rëndojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe të tregojë rezultate konkrete, për t’i pretenduar zgjedhjet. Kjo nuk ka ndodhur për të gjitha këto vite qeverisje të LVV dhe Kurtit, që kur u instaluan në pushtet nga tetori 2019, me vjedhje të votës qytetare, jo vetëm nga diaspora, por edhe me kontrabandimin e votës së 170 mijë votuesve kosovarë të komunitetit serb me të drejtë vote, që votojnë ende nga brenda Serbisë, bazuar në ligjin për votim nga jashtë vendit. Prandaj të gjitha këto, do të marrin përgjigje negative!

Qytetarët e dinë tashmë, se Veriu i Kosovës është në Kosovë! Kosova e ka brenda hartës së vet në Flamur dhe garantohet me Kushtetutë dhe Forca të Armatosura të Kosovës si KFOR dhe NjOS atje. E dinë po ashtu, se atje në vitin 2011 ka rënë dëshmor polici Enver Zymbri, e mbajnë në mend se edhe presidenti Thaçi ka shëtitur nëpër Ujman, e mbajnë në mend se në Jarinje është ndalur treni i Serbisë, e mbajnë në mend se dhjetëra policë të korruptuar janë arrestuar në veri, e mbajnë në mend arrestimin e Gjuriqit, dhe e dinë se atje kishte popullsi serbe që i pranonin institucionet e Kosovës.
Sot, e kemi atë zonë pa përfaqësim të komunitetit serb, një situatë e brishtë që Kosovës po i merr shumë resurse për të ruajtur qetësinë. Prandaj hapja e Urës së Ibrit duhet të ndodhë! Por edhe duhet bindur partnerët tanë, se qeveria është e gatshme të mbajë situatën nën kontroll.

Ura nuk ka pse të jetë pjesë e dialogut!
Ashtu siç nuk është dashur edhe shumë çështje tjera teknike të brendshme të shtetit të bëhen tema të dialogut e negociatave me Serbin, e që kjo qeveri tashmë i ka dërguar atje me veprime e vendime politike të pa harmonizuara me partnerët, me theks aleatin tonë kryesor SHBA, të cilët përmes Ambasadorit fuqiplotë në vendin tonë ashtu si edhe më parë për çdo temë, e bëri të ditur qëndrimin amerikan dhe hapat që duhen ndjekur për ta arritur qëllimin final të Kosovës. Ky mos koordinim, ka rezultuar me marrëveshje të dëmshme për Kosovën si energjia, targat, pasaportat paralele serbe tani legjitime në zonën “shengen”, dinari, e tani edhe hapja e Urës së Ibrit. Nga dialogu është përfituar vetëm riparimi dhe rikonstruktimi pengues i urës mbi Ibër- simbol i ndarjes.

Situata rreth hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, Kosovë, tani ka marrë konotacion kompleks dhe ka dimensione të shumta politike, etnike dhe të sigurisë.
Është me interes për ne, forcimi i sovranitetit dhe autoritetit të shtetit mbi të gjithë territorin e Kosovës. Prandaj një zgjidhje e qëndrueshme tani, kërkon përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara për të siguruar që çdo ndryshim të jetë të kontribuojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë, përkatësisht të kontribuojë në procesin e përmbylljes së dialogut e negociatave me Serbinë me njohjen e ndërsjellë dhe ratifikimin ndërkombëtar të kufirit ndarës Kosovë – Serbi.

Të ngjashme