Xhirrollogaritë bankare janë një tjetër instrumentalizim i çështjeve të grave për përfitime politike nga ana e kryeministrit
Në vend që të adresojë rrënjët e pabarazisë ekonomike dhe sociale, qeveria e Kosovës nxorri një narrativë që i paraqet gratë si viktima pasive, duke e përdorur çështjen e tyre për përfitime politike.
Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti mbi hapjen e xhirrollogarive bankare nga gratë si një arritje e madhe [falë masave të asistencave ] nuk reflektojnë ndryshime reale në jetën e tyre.
Një qasje e tillë nuk sjell barazi ekonomike, por e redukton fuqizimin e grave në një akt simbolik, ndërkohë që mungojnë politikat konkrete për punësimin dhe pavarësinë e tyre financiare.
Një narrativë e tillë vetëm sa i portretizon gratë si tërësisht të varura nga ndërhyrja shtetërore. Sepse hapja e një xhirrollogarie nuk është e njëjtë me sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme ekonomike për gratë. Aq më pak kur hapjen e xhirrollogarive e lidhë me masat e asistencave sociale.
Kjo qasje e z.Kurti e përforcon stereotipet e tyre si të shtypura dhe të paafta për vetëvendosje ekonomike.
Një politikë e vërtetë feministe duhet të përqendrohet në masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe për fuqizimin real të grave, jo në riprodhimin e një narrativi që i instrumentalizon ato për qëllime politike.
Në vend të masave simbolike dhe të paqendrueshme, qeveria duhet të angazhohet për reforma të thella dhe të qëndrueshme që mundësojnë vetëvendosjen ekonomike dhe politike të grave në Kosovë.