Haradinaj e Ismaili vizitojnë QKUK-në, thonë se viti 2018 do të jetë më i mirë për shëndetësinë

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 14:54 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i madh i pacientëve, pritjet e gjatë të tyre për trajtim dhe mungesa e barnave esenciale janë disa problemet me të cilat është duke u përballur sektori i shëndetësisë në Kosovë.

Kështu deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës që i bëri Qendrës Klinike Universitare.
Ai pas një takimi me bordin udhëheqës të QKUK-së, i shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se përgjegjësinë për këto probleme duhet të mbajnë të gjithë jo vetëm bordi e stafi mjekësor.

“Qëllimi është që me kohën që ia kushtojmë shëndetësisë mundemi me mat diferencën nga një gjendje e caktuar në gjendje me të mirë. Vijmë këtu me mat me konstatu a ka lëvizje ,tani të gjithë ne i obligohemi parametrave ose treguesve edhe interesimi im ashtu siç është edhe i ministrit është që ta vërtetojmë këtë diferencë kur është ose kur nuk është. Kemi ende disa shqetësime besoj është mirë me i thanë ende ka shumë pacientë, kjo e vështirëson funksionimin. Kapaciteti pranues është ende me u përmirësu prandaj lista e pritjeve është e gjatë me prit për trajtim ose për ndonjë ndërhyrje. Edhe një temë që mu më shqetëson është lista e barnave esenciale, unë nuk e barti përgjegjësinë vetëm te njëra palë vetëm të bordit ose të stafit mjekësor dhe ne mbajmë përgjegjësinë për këtë vijmë edhe këtu për të bërë diferencën”.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë rritje të rrogave edhe për mjekët, kreu i Qeverisë, tha se rroga jo e dinjitetshme cenon integritetin e të gjithëve.

Ai rritjen e pagës së stafit të tij e arsyetoi me përgjegjësinë më të madhe që sipas tij kanë ata që menaxhojnë me vendin.

“Vlen për të gjithë. Rroga jo e dinjitetshme ta vështirëson jetën, funksionimin. Vlen për të gjithë ne, përgjegjësia e atyre që e menaxhojnë vendin është e lartë, është përgjegjësi shumë e madhe. Integriteti i tyre duhet të ruhet, të jetë i qëndrueshëm, si individ nuk po flas që kam qenë i rrezikuar pasi kam edhe disa të hyra tjera mirëpo duhet të ruhet integriteti i institucioneve, i mjekësve dhe i të gjithëve”.

Ndërsa ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili tha se viti 2018 do të jetë një vit më i mirë për sektorin e shëndetësisë.

“Realisht ne kemi parë një intensifikim të kësaj qeverie të përballet me problemet që i ka sektori i shëndetësisë. Për këtë kohë, për 100 ditshin jemi munduar që të kuptojmë e të vëmë disa kritere të reja në punë. Viti 2018 na pret me një thjeshtësim të problemeve në mënyrë që qytetarët të kenë barna e të mos presin në rend të gjatë si dhe kushtet të mos jenë drastikisht të dallueshme me atë që ofrohet në spitalet private nga ato që nuk janë larg nesh”, tha ai.

I kënaqur me përkrahjen e kryeministrit ishte edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.

Ai tha se përkrahja e institucioneve është e rëndësishme për përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë.


Të ngjashme