Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e Amateur Athletic Union- AAU

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Iowa e ShBA-së, përfaqësues të organizatës sportive “Amateur Athletic Union- AAU”, të kryesuar nga presidenti Roger Goudy.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka falënderuar shtetin e Iowa-s për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë falënderues për miqësinë e përhershme me ShBA-në dhe shtetin e Iowa-s në veçanti.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se Qeveria e Kosovës është duke investuar në përgatitjen e infrastrukturës sportive për të gjitha sportet në Kosovë, në të njëjtën ka njoftuar edhe për të arriturat e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

“Ky takim dhe bashkëpunimi i shkëlqyer i deritashëm janë platformë e mirë, për t’u mundësuar më shumë qasje sportistëve tanë në këmbimin e përvojave mes dyja vendeve. Ne jemi falënderuar për pajisjet sportive që kjo organizatë i dhuroi për sportistët tanë, siç jemi falënderues për ftesën që po u bëjnë federatave tona për vizitë dhe këmbim përvojash me organizatën në Iowa”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e organizatës sportive për donacionin që AAU ka dorëzuar, si pajisje sportive, uniforma sportive, mijëra topa për futboll, basketboll, mjete për mundje dhe mijëra pajisje të tjera për shkollat, federatat sportive dhe komunat në Kosovë.

Në këtë takim është diskutuar për mundësinë që edhe Kosova ta zhvillojë sportin e futbollit amerikan, gjithmonë duke e shfrytëzuar këtë partneritet dhe miqësi.

“Amateur Athletic Union- AAU”, është një organizatë sportive amatore multi-sportive që vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dedikuar ekskluzivisht promovimit dhe zhvillimit të programeve sportive dhe palestrave fizike, e cila ka më shumë se 700,000 anëtarë në mbarë vendin, duke përfshirë më shumë se 100,000 vullnetarë.

Të ngjashme