Haradinaj s’përjashton mundësinë e prishjes së koalicionit

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 11:37 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse vazhdojnë mospajtimet mes taksës në ditët në vazhdim mund të ketë edhe prishje të koalicionit, raporton Ekonomia Online.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se taksa nuk do të hiqet dhe është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj ka lënë të hapur mundësinë që në ditët në vazhdim mund të ketë prishje të koalicionit.

“ Tash ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme në këto ditë, javë që po vijnë. Dëshira ime është që të shtunën të kryejmë disa detyra për vendin e që është buxheti. Nëse mospajtimet politike vazhdojnë mund të rezultojë edhe me të arritura të tjera, çfarëdo qofshin ato ”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka shprehur edhe një herë respektin e madh që ka për Amerikën. Ai ka deklaruar se Amerika është familja e tij.

“Amerika është familja ime edhe kur ne nuk ndajmë mendimin e njëjtë, ajo është familja ime” ka thënë kryeministri.

Ai ka ripërsëritur qëndrimit e tij se nuk do të lejojë një marrëveshje me Serbinë ku preken territoret dhe ku parashihet formimi i ASK-së me kompetenca ekzekutive.

“Me rëndësi është që Kosova të qëndrojë në këmbë. Unë jam për një marrëveshje me Serbinë, por pa çmimin e territorit dhe asociacionit. Taksa është vendim sovran i Qeverisë, ne nuk e kushtëzojmë dialogun me një vendim të qeverisë së Serbisë ”, tha Haradinaj.

I pari i Qeverisë ka thënë se ende nuk po arrin t’i kuptojë se pse po i ndërlidhin temat dhe po kushtëzojnë heqjen e taksës.

“Është vendim sovran i Qeverisë, nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të Serbisë, nuk e kuptoj pse ndërlidhen temat, vendimet tona janë të Qeverisë dhe janë sovrane”, tha ai, raporton EO.

Kryeministri Haradinaj është pyetur nga gazetarët edhe për takimin e djeshëm që ka pasur me partnerët e koalicionit.

Ai tha se edhe aty u diskutua për taksën.

“Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shancë dialogut. Jam për dialogun por se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë. Ne i vazhdojmë konsultat me partnerët e koalicionit. Duhet të vazhdohet dialogu dhe aty të flitet për taksën e të gjitha”, ka thënë ai.

Të ngjashme