Heshtja cinike e opozitës

Prishtinë | 07 Maj 2022 | 11:19 | Nga Afrim Kasolli

Shpresojmë që opozita, pas suksesit në formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë t’i qaset aktivisht punës për formimin e një komisioni tjetër hetimor parlamentar, atij për procesin e privatizimit. Tashmë arsyetimet se nuk i kanë numrat për ta imponuar këtë agjendë nuk qëndrojnë. Mjafton vullneti politik për këtë punë.

Hetimi i këtij procesi është me rendësi jetike për shoqërine kosovare. Sepse, pa u kuptuar prapaskenat, intrigat, abuzimet, keqpërdorimet e tij, kurrë nuk mund të qartësohet plotësisht “rifeudalizimi” ekonomik i Kosovës që ndodhi nga klane të caktuara familjare politike. Varrosja në sirtarët e pluhurosur e administratës së Kuvendit e kësaj kërkese nuk është interes i publikut. Kjo heshtje cinike mund të jetë vetëm interes i grupeve të caktuara të interesit.

Madje, partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës e ka obligim moral dhe politik t’i prijë valles në këtë drejtim. Sepse, siç dihet kjo temë kishte qenë njëra nga kauzat kryesore politike të ish-kryetarit Veseli. Pse u hesht kjo temë nga ata që i trashëguan pozitat drejtuese në parti ka mbetur një “engimë sfinksi”.

Por, tashmë u vërtetua se nuk ka qenë e pamundur të themelohet një komision i tillë. Arsyet e kësaj shpërfilljeje munden jenë tjera, që ne nuk i dimë. Prandaj, është mirë të qartësohen edhe motivet e kësaj indifirence.

Të ngjashme