Historia e shqiptarit “zbut” gjykatësin britanik

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 18:09 | Nga

Një shqiptar u dënua me gjashtë muaj burg nga një gjykatë në Britani, për kultivim brenda në shtëpi, në një dhomë, të 300 rrënjë kanabisi.

Do të ishte një lajm i zakonshëm i shqiptarëve të dënuar për vepra të ndryshme penale nëpër botë, por historia e 32-vjeçarit Agim Selmanllari, ka prekur edhe vetë gjykatësit, të cilët kanë ndjerë keqardhje për të.

E gjitha lidhet me arsyen që e detyroi shqiptarin të emigrojë në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe, ku kishte paguar 9 mijë stërlina. Shqiptari ishte futur në pjesën e poshtme të një kamioni për të kaluar nga Franca në Britani, aty ku do të fitonte para për të siguruar kurimin e djalit të tij të vogël 4-vjeçar, që e la të sëmurë në Shqipëri.

Kjo është edhe historia për të cilën gjykatësit kanë ndjerë keqardhje.

Agimi u gjet fajtor nga gjykata britanike për kultivim të lëndës narkotike dhe për vjedhje energjie, me të cilën sigurohej rritja e kanabisit.

Megjithatë, 32-vjeçari nuk kishte asnjë rol në trafikun e drogës, përveçse kishte marrë përsipër të ruante kanabisin. Droga ishte për tjetër kënd.

Edhe gjykatësit në vendimin e dhënë janë shprehur se shqiptari ishte thjesht një punëtor nën urdhrat e kriminelëve të mëdhenj. Por ajo që ka prekur më shumë gjykatësin, ishte historia e sëmundjes së djalit të tij që vuan nga zmadhimi i mushkërive.

Si ju drejtua gjykatësi shqiptarit të pandehur: “Ti erdhe në Britaninë e Madhe sepse doje të fitoje lekë për t’u kthyer pranë familjes tënde shumë të varfër dhe për të mbështetur djalin e sëmurë rëndë. Do të ishte e vështirë të bënim një gjykim pa ndjerë keqardhje për këtë situatë, por ti e përfshive veten tënde në një aktivitet që ti e di shumë mirë që është i paligjshëm në çdo vend të Evropës, dhe veçanërisht këtu në Angli. Atje kishte një sasi të konsiderueshme kanabisi, që nëse do të tregtohej, do të nxirrte fitim dhjetëra mijëra paund. E pranoj se je vetëm punëtori këtu, që ke bërë gjithçka nën urdhrat e kriminelëve të rrezikshëm. Me shumë mundësi ti do të kthehesh në Shqipëri”.

“Ai ishte shumë i dëshpëruar dhe donte të fitonte para për familjen e tij. Ai nuk kishte asnjë dijeni për llojin e punës që duhej të bënte, derisa e çuan në shtëpinë e mbushur me kanabis”, u shpreh avokati në procesin gjyqësor.

Shtëpia me drogë, ku shqiptari edhe rrinte, u zbulua më 2 nëntor të vitit të kaluar.

Tashmë pritet që Agim Selmanllari të depërtohet në Shqipëri.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme