Hodhi në lumin foshnjën e saj, arrestohet për vrasje nëna 32 vjeçare në Shkodër

Prishtinë | 07 Jan 2023 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Një qytetare nga Shkodra dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të gjinisë mashkullore, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, duke e hedhur në lumin Kir në mbrëmjen e së premtes, sipas informatave të Strukturave Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në  lumin Kir u gjet i pajetë trupi i foshnjës së 32-vjeçares, e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçare, banuese në fshatin Myselim, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit të publikuar në Facebook.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i gruas për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme