Hoti godet Kurtin: Shanin e akuzonin, privatizimi po vazhdon valë-valë

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka mashtruar qytetarët lidhur me premtimin për ndalje të privatizimeve dhe themelimin e Fondit Sovran.

Hoti ka kujtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili kishte thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet se asetet e saj do i kalojnë Fondit Sovran. Ky Fond ende s’është krijuar, edhe pse ka qenë i listuar si prioritet në programin qeverisës së partisë në pushtet.

Hoti ka publikuar një shpallje të AKP’së lidhur me “Valën 62” të privatizimit, derisa ka thënë se procesi i privatizimit po vazhdon valë-valë nga ata që “shanin e akuzonin”.

“Mashtrimet po dalin në shesh çdo ditë. Për dhjetë vite shanin e akuzonin secilin për privatizim, me e pa të drejtë. I mashtronin qytetarët se do të vlerësojnë privatizimet, dhe do të themelojnë Fondin Sovran me asete të Agjencisë së Privatizimit. Sapo erdhën në pushtet, privatizimi po vazhdon valë-valë”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë i tij

Mos harroni: më 15 mars është afati për dorëzimin e ofertave për “Valën 62” të privatizimit.

Mashtrimet po dalin në shesh çdo ditë. Për dhjetë vite shanin e akuzonin secilin për privatizim, me e pa të drejtë. I mashtronin qytetarët se do të vlerësojnë privatizimet, dhe do të themelojnë Fondin Sovran me asete të Agjencisë së Privatizimit. Sapo erdhën në pushtet, privatizimi po vazhdon valë-valë.
Ja faktet që dëshmojnë mashtrimet:

Programi zgjedhor i VV-së, faqe 11: “Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.”

Fjala e Kurtit në Kuvendin e Kosovës më 17.05.2021, në prezantimin e Programit Qeverisës 2021-2025:

“Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në agjenci brenda Qeverisë, e do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.”

Programi Qeverisës 2021-2025, faqe 9: “Do të angazhohemi për krijimin e Fondit Sovran. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Po ashtu, Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë.

Të ngjashme