Përgjatë takimeve të RYCO-s të ditës së tretë të punimeve, përfaqësuesit e të gjashtë shteteve pjesëmarrëse zhvilluan takime edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme me përfaqësuesin Special për Evropën Juglindore, për shtetet e EFTA-s dhe për Turqinë, ku morën pjesë edhe ambasadori i Italisë dhe përfaqësuesi i Francës.
Në kuadër të këtij takimi me Ambasadorin Christian Hellbach në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti e falënderoi Hellbach për kuntributin e qeverisë gjermane dhe të asaj franceze për RYCO-n, si dhe i falënderoi për mbështetje edhe të shteteve tjera, me theks te veçantë për shtetin e Austrisë dhe Italisë, njofton MKRS.
“Në lidhje me peshën dhe rëndësinë e këtij projekti për të rinjtë e Republikës së Kosovës, që të jenë pjesë e përbashkët e këtij projekti evropian në kuadër të Ballkanit Perëndimor, zëvendësministri Hoti edhe këtu theksoi vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë nga Kosova kur është në pyetje liria e lëvizjes, qoftë në kuadër të shteteve pjesëmarrëse në RYCO, qoftë në kuadër të shteteve të EU-së”, thotë njoftimi.
“Duke marrë si shembull funksionimin e mirë të organizatave me karakter evropian, siç janë Traduki e së fundi edhe RYCO, ku pjesëmarrja e politikës është kombinuar suksesshëm me shoqërinë civile, me rininë si dhe me pjesën kreative të shoqërisë, siç janë krijuesit dhe artistët, zëvendësministri Hoti hodhi idenë e propozimit që në kuadër të këtij zinxhiri te suksesit të formohet edhe një projekt ekskluziv medial, i cili do të merrte mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për gazetarët në radhë të parë”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.
Mbështetja e medieve, me theks te veçantë për pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, siç janë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, do te kishte një epërsi strategjike jo vetëm në pavarësimin e medieve nga ndikimet brutale në hapësirat e shteteve në fjalë, por edhe lufta kudër korrupsionit e kriminalizimit do të merrte një perspektivë krejt tjetër, bëhet e ditur në komunikatë.