Hoxha merr mbështetje nga Gjermania për sistemin e drejtësisë

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 11:00 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, me ftesë të ministrit të Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, ka qëndruar për vizitë dy ditore në Berlin.

Në takim me Ministrin federal, Ministrja Hoxha ka falënderuar Ministrin për mbështetjen e deritashme që Gjermania i ka dhënë Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Në veçanti ajo ka falënderuar ministrin Maas për kontributin për reformat që do të bëhen në sistemin e drejtësisë në vend. Me këtë rast ministrja kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë së Gjermanisë për procesin e hartimit të Kodit Civil sipas modelit gjerman si dhe për reformat tjera që po ndërmerren siç janë rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, përgjegjësia disiplinore e gjykatësve dhe prokurorëve, të gjitha këto reforma në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit.

Po ashtu, ministrja Hoxha dhe homologu i saj Maas diskutuan mundësinë e hapjes së një Fakulteti Juridik gjerman në Kosovë, me qëllim të forcimit të arsimit në fushën juridike.

Ministri federal i Drejtësisë, Heiko Maas ka shprehur përkrahje ndaj punës së Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës duke vënë në pah gatishmërinë për mbështetjen e mëtejme për drejtësinë e Kosovës dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Do të jemi pranë jush në zgjidhjen dhe tejkalimin e sfidave në fushën e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë. Përkrahja jonë nuk do të mungojë dhe ekspertët tanë do të ofrojnë mbështetjen e tyre jo vetëm gjate hartimit të legjislacionit por edhe gjatë zbatimit të tyre, duke ofruar përvojat më të mira”, theksoi ministri Maas.

Ministri Maas shprehu respekt për të arriturat e Ministrisë që drejton Hoxha, gatishmërinë e saj dhe angazhimin për fuqizimin e sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme