Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ngushëlluar familjarët e viktimave të tragjedisë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bullgari, ku humbën jetën 46 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka treguar se ka zhvilluar një telefonatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, për ta ngushëlluar për humbjen tragjike të 46 jetëve të reja, në mesin e të cilëve shumë fëmijë!
“E dhimbshme sa më s’ka! Sapo telefonova ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, për ta ngushëlluar për humbjen tragjike të 46 jetëve të reja, në mesin e të cilëve shumë fëmijë!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai tutje ka thënë se të gjithë shqiptarët jemi bashkë në këtë dhimbje të madhe.
“Pikëllim i madh për të gjithë, sidomos për shqiptarët në gjithë rajonin. Jemi bashkë në këtë dhimbje të madhe! Ngushëllime familjarëve!”, ka përfunduar shkrimin Hoxhaj.