Huaja për “Kosovën e Re” rrit borxhin publik

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se borxhi i publik i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Kjo rritje, sipas FMN-së mund të bëhet pas huas që Kosova dhe kompania amerikane Contour Global pritet të marrë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Kthimi i borxhit publik, sipas ekspertëve, do të jetë sfiduese për Kosovën.

Megjithatë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk mendojnë se mund të tejkalohen parametrat e caktuara sipas Ligjin për borxhin publik, transmeton REL.

Borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në rreth një miliard euro. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik i Kosovës në vitin 2017 ka arritur në 16.6 për qind nga 14.6 për qind sa ishte në vitin 2016.

Kosova borxh të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Sipas Ligjit për borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e saj të publikuar ditë më parë, te projekti i Termocentralit “Kosova e Re” thekson se “projekti mban rreziqe të mjaftueshme fiskale dhe do të mbulonte hapësirën fiskale, duke marrë parasysh frenimin e borxhit në klauzolën e investimeve të rregullave fiskale prej 30 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe lartësinë maksimale të borxhit prej 40 për qind të Bruto Produktit Vendor”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme