Partia Demokratike e Kosovës, ka përmbyllur sot zgjedhjet e brendshme në Degën e Lipjanit, ku me shumicë të votave të delegatëve, në një garë të ngushtë me katër kandidatë, kryetar i degës u zgjodh në raundin e dytë, Doktori i Shkencave, Hyzer Rizani.
Kryetari i ri i PDK-së në Lipjan i cili deri në zgjedhjet e fundit ka qenë kryetar i Rinisë Demokratike në Lipjan, falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punoj pandërprerë për vazhdimin e sukseseve të PDK-së në Komunën e Lipjanit.
Para procesit të votimit, katër kadidatët për kryetar dege paraqitën platformat e tyre para qindra delegatëve, për çka u vlerësuan në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për garën fer e demokratike gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Tre kandidatët tjerë për kryetarë, e uruan kryetarin e ri Rizani për fitoren duke i shprehur mbështetje të plotë në rrugëtimin e ri në krye të degës, për ta fuqizuar dhe jetësuar platformën Dekada e Re për qytetarët e Lipjanit.
Kuvendi zgjedhor ku ishin të pranishëm 270 delegatë, po ashtu zgjodhi Këshillin Drejtues të degës prej 71 anëtarëve si dhe 15 delegatë për Konventën Qendrore.
Para të pranishmëve, kryetarja e deritashme e degës, Selvie Halimi, falënderoi mbi 2000 pjesmarrës në 55 nëndegët e Degës së Lipjanit.
Të pranishmit i përshëndeti edhe dr.Ramë Buja, themelues i PDK-së, i cili u shpreh i kënaqur me unifikimin e plotë të gjitha strukturave të degës.
Ndërsa, Akademik Arsim Bajrami tha se Lipjani është shembull për demokraci dhe mbetet bastion i PDK-së.
Para të pranishmëve, nënkryetari Hajredin Kuçi, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit Zgjedhor, tha se Kuvendi Zgjedhor në Lipjan dëshmon se sa e fortë është PDK në Lipjan.
“Dekada e Re është evropianizimi i Kosovës dhe PDK po tegon çdo ditë që është partia më e madhe dhe më demokratike në Kosovë”, tha Kuçi.