IKD: Gjykata Kushtetuese joefikase edhe në trajtimin e të drejtave të viktimave të dhunës në familje

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Gjykata Kushtetuese është joefikase edhe në trajtimin e të drejtave të viktimave të dhunës në familje.

Përmes një reagimi, IKD thotë se është bërë një vit që kur rasti i tani të ndjerës Sebahate Morina u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, i cili rast paraqet mundësinë që kjo gjykatë për herë të parë të vendosë në mënyrë meritore lidhur me dispozitat e Konventës së Stambollit, të inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës më 2020, por edhe pas një viti ende nuk ka vendim.

“Vonesat në rastin e rëndësishëm të Sebahate Morinës nuk përbëjnë çështje të izoluar. Edhe raste të tjera të rëndësishme ende presin në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, siç është rasti në të cilin kontestohen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në komuna të caktuara të Kosovës, lidhur me të drejtën themelore të komuniteteve joshumicë në vend për përfaqësim efektiv në jetë publike dhe vendimmarrje. Kanë kaluar 16 muaj dhe ende nuk ka një vendim. Në fakt, nga analiza e bërë vendimmarrjes së viteve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, vërehet se mesatarisht Gjykatës Kushtetuese i duhen 14 muaj për të marrë një vendim. Këto të dhëna janë shqetësuese”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Gjykata Kushtetuese, viteve të fundit pranon rreth 200-250 kërkesa të palëve në vit, ndërkaq i nxjerr 20-30 aktgjykime meritore, kurse të tjera janë kryesisht vendime për papranueshmëri.

Andaj, IKD apelon që Gjykata Kushtetuese të ketë kujdes të shtuar që të paktën në raste shumë të rëndësishme, të vendos në mënyrë meritore dhe në afat sa më të shpejtë dhe të mundësojë gjyqësi efikase kushtetuese.

“Lehtësimi i procedurave të brendshme pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ngritja e profesionalizmit (në veçanti përmes përvetësimit të metodave të hulumtimit krahasimor kushtetues dhe njohurive mbi hierarkinë e normave në vend si dhe rolit të duhur të praktikës gjyqësore të GjEDNJ) janë thelbësore në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Reagimi i plotë i IKD-së:

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera mund të drejtohen për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës në përgjithësi. Por Gjykata Kushtetuese është duke dështuar të shërbejë si gardian adekuat i Kushtetutës, duke vonuar të zgjidhë rastet në kohë të arsyeshme.

Dje, më 13 korrik 2022, u bënë një vit që kur rasti i njohur i të ndjerës Sebahate Morina u dërgua në Gjykatë Kushtetuese. E ndjera u vra nga ish-bashkëshorti i saj në lagjen Emshir në Prishtinë më 14 mars 2021, për çka fëmijët e saj iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se autoritetet shtetërore kishin shkelur përgjegjësitë e veta duke dështuar të mbrojnë jetën e viktimës.

E drejta për jetë konsiderohet ndër të drejtat më themelore të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Vendosja efikase e këtij rasti do mund të transformonte rrënjësisht mënyrën se si autoritetet shtetërore i qasen rasteve të dhunës në familje, ngjashëm me efektin që kishte rasti i Diana Kastratit KI 41/12 në vitin 2012. Kjo do të shërbente që autoritetet shtetërore të ishin më të përgjegjshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të mbronin në mënyrë adekuate të drejtat e viktimave. Për më tepër, rasti i Sebahate Morinës paraqet mundësinë e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë meritorisht për herë të parë lidhur me dispozitat e Konventës së Stambollit, të inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës më 2020. Megjithatë, pas një viti, nuk ka ende asnjë vendim.

Vonesat në rastin e rëndësishëm të Sebahate Morinës nuk përbëjnë çështje të izoluar. Edhe raste të tjera të rëndësishme ende presin në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, siç është rasti në të cilin kontestohen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në komuna të caktuara të Kosovës, lidhur me të drejtën themelore të komuniteteve joshumicë në vend për përfaqësim efektiv në jetë publike dhe vendimmarrje. Kanë kaluar 16 muaj dhe ende nuk ka një vendim. Në fakt, nga analiza e bërë vendimmarrjes së viteve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, vërehet se mesatarisht Gjykatës Kushtetuese i duhen 14 muaj për të marrë një vendim. Këto të dhëna janë shqetësuese.

Është i mirëkuptueshëm fakti që Gjykata Kushtetuese mund edhe të vonohet në raste të caktuara, për shkak të kompleksitetit të çështjeve pranë saj (Komisioni i Venecias, CDL-AD(2021)001, para. 142). Por kjo duhet të jetë përjashtim i rrallë, e jo rregull, ashtu që të mos cenohet (në veçanti) mbrojtja e të drejtave të njeriut përmes drejtësisë kushtetuese.

Siç vërehet në raportet vjetore të Gjykatës, viteve të fundit Gjykata Kushtetuese pranon rreth 200-250 kërkesa të palëve në vit, ndërkaq nxjerrë vetëm 20-30 aktgjykime meritore (kurse vendimet tjera janë kryesisht aktvendime për papranueshmëri). Me gjithë këto shifra të ulëta, është brengosëse që institucioni përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës vonohet kaq shumë në zgjidhjen e rasteve.

Në veçanti rastet me interes madhor publik duhet të vendosen në kohë sa më të shkurtër të mundshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme të ndodhë në rastet që nuk duken të jenë aq komplekse për vendimmarrje, siç është për shembull rasti i Sebahate Morinës. (U deshën vetëm pak ditë që Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grave të Kosovës të dilnin me konstatimin se autoritetet shtetërore kishin shkelur përgjegjësitë e tyre kushtetuese në këtë rast, ndërkaq as dy muaj që Avokati i Popullit të Kosovës të vinte në të njëjtin përfundim.)

Duhet pasur parasysh faktin që edhe vonesat pranë Gjykatës Kushtetuese mund të jenë relevante për të gjetur shkelje të së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (p.sh., Süßmann k. Gjermanisë, § 55-56; Shneyderman k. Rusisë, § 28). Arsyet që mund të ekzistojnë për këto vonesa pranë Gjykatës Kushtetuese, kur rastet pranë saj janë të rëndësishme në kuptimin politik apo social, për aq sa nuk janë raste qartazi komplekse, nuk janë aq relevante për të larguar përgjegjësinë për këto vonesa në kuptim të nenit 6(1) të KEDNJ.

Prandaj Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kujdes të shtuar që, të paktën në raste shumë të rëndësishme, të vendosë në mënyrë meritore në afat sa më të shpejtë dhe të mundësojë gjyqësi efikase kushtetuese. Lehtësimi i procedurave të brendshme pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ngritja e profesionalizmit (në veçanti përmes përvetësimit të metodave të hulumtimit krahasimor kushtetues dhe njohurive mbi hierarkinë e normave në vend si dhe rolit të duhur të praktikës gjyqësore të GjEDNJ) janë thelbësore në këtë drejtim”.

Të ngjashme