Ligji i ri për rregullat e trafikut, Policia shqiptoi mbi 36 mijë gjoba për një muaj

Prishtinë | 15 Maj 2024 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës njofton se gjatë periudhës njëmujore (3 prill- 3 maj 2024) të implementimit të Ligjit të ri Nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor, ka shqiptuar 36 mijë e 427 gjoba.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijesimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut, raporton “Betimi për Drejtësi“.

 “…sepse vetëm bashkërisht mund të kontribuojmë në sigurinë rrugore duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Policia bën të ditur se gjatë një muaji të implementimit të Ligjit të ri për rregullat e trafikut, ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar 27 mijë e 3 gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 4 mijë e 548 për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 2 mijë e 659 për përdorim të telefonit.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 639 mjete të paregjistruara, mes tyre: 511 vetura, 11 kamionë, 100 motoçikleta dhe 5 trotinetë elektrik. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme