Ish-ministri slloven i Mbrojtjes: Të kemi kujdes nga narrativa mediatike pro-ruse, Rusia dhe Serbia partnerë destabilizues i Ballkanit

Prishtinë | 25 Dhj 2022 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri slloven i Mbrojtjes, Roman Jakiq thotë se Rusia dhe Serbia janë partnerë që kontribuojnë për destabilizimin e vendeve  Ballkanit Perëndimor.

Jakiq në një intervistë për The Geopost thekson se duhet pasur kujdes nga mediet që promovojnë narrativën pro-ruse në këto anë.

“Rusia dhe Serbia janë partnerë shumë të mirë dhe supozoj se përmes Serbisë po destabilizojnë jo vetëm Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, por edhe vendet e tjera të rajonit”, thekson Jakiq.

“Është interesante se narrativa në Serbi është se Rusia po e ndihmon Serbinë, por në thelb nëse shikoni shifrat dhe ndryshimin në tregti, mund të shihni se Serbia ka pjesën më të madhe me BE-në, më shumë se 70 për qind me Gjermaninë dhe Italinë dhe se tregtia me Rusinë është më e vogël”, shton ai.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet për sigurinë e qytetarëve në Kosovë.

“Mendoj se janë dy faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përkatësisht KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët gjithashtu duhet të kujdesen për sigurinë e njerëzve dhe se ky tension në rritje duhet të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, pohon ai.

Në këtë intervistë, Jakiq ka folur edhe për qëndrimin e Sllovenisë karshi agresionit ushtarak rus në Ukrainë si dhe për zgjimin gjeopolitikë të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme