Ismaili: Lista e re e Barnave Esenciale do t’i përmbushë nevojat e pacientëve

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 11:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në debatin lidhur me hartimin e Listës Esenciale të barnave, organizuar nga instituti “Columbus”, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, deklaroi se ky është një proces mjaft i rëndësishëm.

“Ky proces është dashur të fillojë dhe duhet të vazhdojë që të shihet një efekt. Problemet e pacientëve burim e kanë pasur për shkak të mos revidimit të Listës Esenciale”, ka deklaruar ministri Ismaili.

Sipas tij, tani ka filluar revidimi i kësaj liste, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi filluar një revidim të Listës Esenciale. Në fillim kemi pasur dy vizita të OBSh-së në Kosovë dhe me një fjalë e kanë testuar se sa jemi ne të vendosur të hyjmë në këtë proces. Pas vlerësimit që e kanë bërë kanë filluar të jenë më aktivë dhe na kanë ndihmuar se cilat janë praktikat më të mira për revidimin e Listës Esenciale”, ka shtuar ministri Ismaili.

Ismaili tha se kjo listë duhet t’i përmbushë nevojat e pacientëve dhe spitaleve e jo të kompanive farmaceutike.

“Lista e Re e Barnave Esenciale duhet t’i përmbushë nevojat e pacientëve dhe spitaleve e jo të jetë një listë e dëshirave dhe nevojave të ndonjë kompanie. Që ky proces shumë i rëndësishëm të realizohet mbi këto standarde, unë kam themeluar Komitetin teknik për Revidimin e Listës Esenciale ku janë përfshirë akterë të shumtë dhe profesionalë, dhe të cilët do të kenë asistencën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë gjithë kohës”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tej, për të shmangur çdo konflikt interesi, ministri Ismaili bëri të ditur se kanë ftuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Këtë herë pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi është përfshirja e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo Agjenci është ftuar nga ne. Ata kanë qenë shumë ekspeditivë dhe përkrahës që të kontribuojnë dhe monitorojnë gjatë tërë kohës secilin hap të këtij procesi, duke filluar që nga hartimi i përbashkët i vendimit, ku është paraparë edhe deklarimi i konfliktit të interesit”, ka thënë ai.

Saranda Ramaj, hulumtuese në institutin “Columbus”, tha se revidimi i Listës Esenciale të barnave është një ndër çështjet më të rëndësishme të secilit vend, raporton EO.

“Sot jemi këtu për të diskutuar se si duhet të bëhet revidimi i listës esenciale. Një nga çështjet më të rëndësishme të secilit vend është revidimi i Listës Esenciale, për shkak se kjo përmbush nevojat e pacientëve”, ka thënë Ramaj.

Sipas saj, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është rreth 30 milionë euro dhe duhet që 100 për qind t’i përmbushë nevojat e pacientëve.

“Në vitin 2012 për herë të fundit është bërë revidimi i Listës Esenciale. Gjatë monitorimit, gjetjet e Columbus-it janë se ky proces nuk është sqaruar mirë nga anëtarët e komitetit”, ka theksuar Ramaj.

Si rezultat final synohet që produktet të cilat do të jenë në listë, të jenë gjithmonë në stoqet e institucioneve shëndetësore dhe në shërbim të nevojave të pacientëve.

Synohet një listë e produkteve të cilat janë aq esenciale, sa t’i përmbushin nevojat kryesore të popullatës dhe të jenë tërë kohën të qasshme dhe me kosto të përballueshme.

Besa Baftiu, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, kritikoi vonesën për fillimin e revidimit të Listës Esenciale të barnave, raporton EO.

“Për neve janë të pajustifikueshme vonesat qe po bëhen në këtë drejtim, duke pasë parasysh se qysh në maj apo prill të këtij viti ministri në Komision ka  thënë se do të fillojë revidimi i Listës Esenciale. Tani jemi në fund të muajit tetor dhe siç e pamë edhe nga prezantimi që e bëri Saranda, edhe nga ministri, ky proces është në fazën fillestare”.

Në emër të komisionit që përfaqëson, ajo kërkoi që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

“Ne si komision kërkojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejt, duke pasë parasysh nevojën shumë të madhe të institucioneve publike që të përmirësohet furnizimi me barna”.

“Ne si komision kemi kërkuar që të formohen kolegjiumet profesionale dhe pastaj këto kolegjiume të përcaktohen për nevojën e asaj klinike me barnat e Listës Esenciale”.

Sipas Arianit Jakupit, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, problemi kryesor është Ligji i Prokurimit.

“Problemi kryesor është Ligji i Prokurimit. Ai edhe hap dyert për manipulime, për ndikime të kompanive të mëdha farmaceutike, që është edhe për shkak të tregut të vogël”.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, tha se gjithmonë ka ekzistuar debati lidhur me hartimin e Listës Esenciale të barnave.

“Sa i përket hartimit të listës, gjithmonë ka pasë debat dhe procesi që i paraprin këtij procesi është formimi i grupit punues. Ajo se si do të punojë komiteti, po ashtu është pjesë e debatit. A do të formohet një listë e dëshirave, apo do të formohet një listë që me të vërtetë i përmbush nevojat e qytetarëve. Nëse e zgjasim këtë  takim deri në fund të ditës, mund ta krijojmë një listë, por sa do të jetë ajo listë adekuate”.

Të ngjashme