Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nisur procedurat për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Ismaili ka njoftuar se iu ka dërguar kërkesat të gjithë aktorëve të përcaktuar me ligj, për të propozuar emrat e atyre që do të jenë pjesë e bordit të këtij Fondi.
“Në kuadër të angazhimit tim, që sa më parë ta funksionalizoj Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sot edhe zyrtarisht u kam dërguar kërkesë të gjithë aktorëve të përcaktuar me ligj, për të propozuar emrat e tyre që do të jenë pjesë e bordit të këtij Fondi”, ka njoftuar kreu i MSh-së, nëpërmes një postimi në Facebook.
“Porsa të marr propozimet, më së largu më 12 mars, unë do t’i dërgoj emrat për miratim në Qeveri”, ka saktësuar ai.
“Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës, do të jetë përgjegjës të mbikëqyrë veprimtarinë dhe ligjshmërinë e punëve të Fondit”, ka shpjeguar ministri.
“Është detyrë e imja si ministër që të mbroj qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve në shërbime shëndetësore, andaj themelimi i këtij Bordi na ofron një hap më shumë drejt arritjes së këtij qëllimi”.
Ismaili ka paralajmëruar se “brenda dy vitesh të këtij mandati, edhe qytetarët e Kosovës do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore”.