Juventusi mbetet pa Mirettin për tri javë

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori Fabio Miretti do t’i mungojë skuadrës së Juventusit të paktën për tri javë shkaku i lëndimit. “Tuttosport” ka shkruar të enjten se 19-vjeçari ka pësuar frakturë në nyjën e këmbës dhe tashmë ka nisur rehabilitimin.

Miretti u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj Salernitanas, të cilën Juventusi e fitoi 3:0. Ai shkaku i lëndimit u detyrua të zëvendësohej në pjesën e parë kundër Salernitanas dhe do t’i mungojë Juventusit në gjashtë ndeshjet e ardhshme. Miretti pritet të kthehet në fushë më 12 mars në ndeshjen kampionale që Juventusi e luan kundër Sampdorias.

Ai do t’i mungojë Juventusit ndaj Fiorentinas, Spezias, Torinos, Romës si dhe dy përballjet ndaj Nantesit në kuadër të Ligës së Evropës. Miretti këtë sezon ka 25 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, ku ka bërë edhe dy asistime.

Të ngjashme