Kamala Harris tha se presidenca e saj “nuk do të ishte një vazhdim i presidencës së Joe Biden” në një intervistë t me kanalin e krahut të djathtë Fox News të mërkurën mbrëma, ndërsa ajo kritikoi Donald Trump për kërcënimet e tij të vazhdueshme kundër “armikut brenda”.
Intervista 25-minutëshe, e realizuar pasi Harris mbajti një tubim me më shumë se 100 zyrtarë republikanë në Pensilvani, ishte hera e parë që Harris shkoi për një bisedë me Fox News, një medium që ka qenë në mbështetje të vazhdueshme të Trump.
Ajo u pyet për tema të djathta, duke përfshirë emigracionin, të drejtat e njerëzve transgjinorë dhe performancën e Joe Biden. Harris u përpoq të shiste veten tek audienca më e vjetër e kanalit, kryesisht republikane, shkruan The Guardian.
Harris u pyet nëse kishte ndonjë gjë që ajo “do të bënte ndryshe” nga Joe Biden.
“Më lejoni të jem shumë i qartë. Presidenca ime nuk do të jetë një vazhdim i presidencës së Joe Biden dhe si çdo president i ri që vjen në detyrë, unë do të sjell përvojat e mia të jetës, përvojat e mia profesionale dhe idetë e reja. Unë përfaqësoj një gjeneratë të re të lidershipit”, tha Harris.
“Për shembull, si dikush që nuk e kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime në Uashington DC, unë ftoj për ide: qoftë nga republikanët që po më mbështesin, të cilët ishin në skenë me mua pak minuta më parë dhe nga sektori i biznesit dhe të tjerë, i cili mund të kontribuojë në vendimet që marr unë”.
Gazetari i përmendi një sondazh që tregon se shumica e amerikanëve besojnë se vendi është “në rrugën e gabuar” dhe e pyeti Harrisin pse ata po thoshin këtë kur ajo ishte zëvendëspresidente që nga janari 2021.
Harris sugjeroi që sondazhet tregojnë një lodhje me Biden dhe Trump, duke pasur parasysh se ky i fundit ka “kandiduar për detyrë” që nga viti 2016.