Kamberi për Raportin e DASh: Goditje Serbisë për diskriminim etnik ndaj shqiptarëve

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka reaguar mbi raportin e DASh-it duke vënë në pah goditjen e ashpër të raportit mbi Serbinë për diskriminimin etnik të shqiptarëve në sferat jetike i cili po zbatohet ndër vite.

Kamberi ka potencuar pjesën ku flitet për “Dhunën dhe Diskriminimi Sistemik Racor apo Etnik” në Raportin për Serbinë, që sipas tij godet më së shumti Serbinë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë… Qeveria padrejtësisht i bëri shqiptarët subjekt të pasivizimit për të zvogëluar numrin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi,” thekson Raporti i DASH.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, deputeti Kamberi ka përmendur edhe pjesën e raportit ku thuhet se aplikimi i ligjit per të targetuar shqiptarët nënkupton spastrim etnik përmes masave administrative, gjë që është potencuar edhe në raportin e Komisionit të Helsinkit të Serbisë.

Tutje, është shkruar edhe mbi gjuhën e urrejtjes me ç’rast raporti ka potencuar se “autoritetet serbe duhet ndaluar të gjitha praktikat diskriminuese ndaj minoriteteve etnike,” përfshirë këtu edhe “gjuhën fyese e të urrejtjes,” kryesisht të përdorur publikisht nga zyrtarët shtetëror serb sikurse shefi i Shërbimit serb të intelegjencës (BIA) A. Vulin.

Raporti i DASH nënvizon edhe çështjen e nënpërfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucionet publike e shtetërore, që është forma më e vrazhdë e diskriminimit dhe mosrespektimit të obligimeve ndaj komunitetit shqiptar, të cilat Serbia i ka marrë me tre marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë: 2001, 2009 dhe 2013.

Të ngjashme